Eurot e kapura në Portin e Durrësit, reagon Policia e Shtetit

Durrësi

Eurot e kapura në Portin e Durrësit, reagon Policia e Shtetit

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 16:03
Porti në Durrës

Policia e Shtetit ka reaguar me anë të një deklaratë në lidhje me sasinë e konsiderueshme të eurove të kapura një ditë në parë në Portin e Durrësit, duke dhënë detaje.

Në deklaratë theksohet fakti se Policia e Shtetit është vënë në dijeni nga burimet e saj vendase. Ndërkohë nga policia thuhet se ka të dhëna të besueshme se ngarkesa e sekuestruar ishte e porositur nga shtetasit E.V. dhe A.V., tashmë të shpallur në kërkim.

“Në datën 20 Qershor 2018, ditën e mërkurë, për një karoatrec me targa AA 120 SP, që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit. Me marrjen e këtij informacioni, iu është dhënë porosi gjithë strukturave të Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese”, thuhet në deklaratë.

Më tej, policia zbulon edhe ecurinë e operacionit. “Ditën e enjte, 21 Qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani. Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 Qershor 2018, një agjenci ligj zbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara. Në datë 24 Qershor 2018, në Portin e Durrësit në orën 07:30, mbërriti nga Belgjika një trajler tip “Bizark” me 9 automjete, përmes Portit të Barit, Itali. Policia Kufitare, mbi bazën e porosisë së marrë në datë 20 Qershor, ka bërë identifikimin dhe ndalimin e mjetit”.

Policia thotë se më pas janë vënë në pranga 4 shtetas.

Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës;
• Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë;
• Klevi Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë;
• Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve:
• A.V. 33 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë;
• E.V. 38 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga shtetasi Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambjente të tjera të personave të dyshuar.

Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
• 3,366,800 euro dhe 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara;
• 80,000 franga zvicerane.
• 10 automjete, nga të cilat 7 automjete të tipit ‘Toyota Yaris’, 1 tip ‘Alfa Romeo’, 1 tip ‘Opel’ dhe 1 tip ‘Bizark’.
• 1 armë kallashnikov me 2 krehëra fishekë, gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.Çeka;
• 1 radio policie;
• 7 telefona celularë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat