Kur do rinisë qarkullimi me tren nga Pogradeci në Durrës?!

Durrësi

Kur do rinisë qarkullimi me tren nga Pogradeci në Durrës?!

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 09:25
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme u prezantua Studimi i Realizueshmërisë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë – Elbasan – Pogradec, financuar nga fondet e Komisionit Evropian, të mundësuara përmes Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Studimi ka filluar në Prill 2017. Studimi është kryer në dy faza.

Gjatë fazës 1 u krye vlerësimi i para-realizueshmërisë për të gjithë linjën hekurudhore 151 km, 72 km e parë të të cilës ndërmjet Durrësit – Rrogozhinës – Elbasanit janë në punë sot. Pjesa e mbetur prej 79 km nga Elbasani në Pogradec nuk janë në funksion për shkak të gjendjes të keqe të linjës dhe të strukturave (urave dhe tuneleve) përgjatë saj.

Gjatë fazës 2, u përgatitën projekti paraprak dhe analiza përkatëse e kosto përfitimit për segmentin prioritar Durrës – Rrogozhinë, së bashku me vlerësimin paraprak të ndikimit në mjedis, përgatitur sipas kuadrit ligjor vendas. Segmenti i linjës Durrës – Rrogozhinë është i gjatë 33.5 km. Kostoja e rehabilitimit vlerësohet në 52 milionë euro.

Rehabilitimi i këtij segmenti me prioritet të lartë do të përmbushë standartet e projektimit të Rrjetit Ndër Evropian me shpejtësi 100km/h dhe ngarkesë aksi 22.5 ton. Koha e udhëtimit do të reduktohet nga 60 minuta në 32 minuta. Lëvizja përgjatë këtij segmenti pritet të arrijë 330,000 pasagjerë dhe 1,100,000 ton mallra deri në vitin 2047. Përgatitja e këtij studimi është mundësuar nga Komisioni Evropian me një grant prej 720,000 euro dhënë Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat