Kosto e rrugës Tiranë-Durrës, koncesioni 20 mld lekë më shumë se projekti fillestar

Durrësi

Kosto e rrugës Tiranë-Durrës, koncesioni 20 mld lekë më shumë se projekti fillestar

Më: 3 nëntor 2018 Në ora: 17:55
Autostrada Tiranë-Durrës

Plani për zgjerimin e rrugës tiranë durrës është i hershëm, që në vitin 2007, por gjithmonë qeveritë kanë qenë të dyzuara nëse do të ndërtohej me paratë e buxhetit apo të jepej me koncesion. Një dilemë e cila u duk se mori fund 4 vjet më parë.

Në vitin 2014, qeveria shqiptare vendosi që zgjerimi i rrugës tiranë durrës të financohej me paratë e buxhetit të shtetit. Mbi bazën e këtij vendimi autoriteti rrugor shqiptar pajtoi një kompani italiane për të bërë studimin e fizibilitetit dhe projektin e rrugës.

Projekti përfundoi vitin e kaluar, por pak muaj më vonë qeveria ndryshoi qëndrim duke e shpallur tiranë durrës në listën e rrugëve që do jepen me koncesion.

Projekti i kompanisë italiane SPEA parashikon që rruga të zgjerohet me dy korsi shtesë në secilin krah, përfshirë një korsi emergjence, me një kosto totale për buxhetin prej ishte 29.2 miliardë lekë.

Por me sa duket projekti i italianëve do të mbetet vetëm në letër. Qeveria e ka listuar tiranë durrës, në listën e akseve që do të jepen me koncesion duke përcaktuar një tavan kostoje 49.1 miliardë lekë ose 20 miliardë lekë më shumë nga projekti i italianëve.

Por në rastin e koncesionit, ky tavan është thuajse hipotetik. Buxheti i shtetit nuk paguan asnjë fond, pasi rruga ndërtohet me paratë e privatit dhe paguhet direkt nga qytetarët përmes tarifës së kalimit.

Duke qenë se Tiranë Durrës është aksi me qarkullimin më të madh në shqipëri, kjo e bën koncesionin automatikisht fitimprurës, pa patur nevojë të garantohet nga buxheti i shtetit si në rastin e rrugës durrës kukës.

Madje, nëse tarifa e kalimit do të vendoset dy euro ashtu si është propozuar në studimin e fizibilitetit, atëherë për 30 vjet koncesioni i Tiranë-Durrës mund të gjenerojë deri në 1 miliardë euro të ardhura.

Por këto janë të gjitha llogari paraprake, pasi deri tani projekti I koncesionit është ende në fazë fillestare dhe ministria e transporteve deklaron se nuk ka vendosur nëse do e pranojë apo jo ofertën e pakërkuar që ka mbërritur për këtë rrugë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat