​Pushteti mburret me rritje ekonomike, opozita vlerëson se shifrat janë propaganduese

Ekonomi

​Pushteti mburret me rritje ekonomike, opozita vlerëson se shifrat janë propaganduese

Më: 6 prill 2024 Në ora: 09:29
Foto ilustrim

Shifrat për rritje ekonomike nga Qeveria po konsiderohen të jenë joreale dhe propaganduese. Kështu vlerësojnë njohës të ekonomisë dhe opozita, për dallim nga partia në pushtet, të cilët thonë se ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen në tremujorin e katërt gjatë vitit të kaluar.

Derisa nga opozita shprehen të shqetësuar që gjendja ekonomike në vend është përkeqësuar dhe është në gjendje jo të mirë, konsiderojnë se Qeveria Kurti nuk e ka plotësuar asnjë premtim sa i përket investimeve kapitale. Ndërkaq, këtë e mohojnë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti nga pozita, Armend Muja thotë se ky vit do të jetë rekord në realizimin e investimeve kapitale, për çfarë thotë se rritja do të jetë mbi 4 për qind.

Muja derisa numëron faktorët që po ndikojnë në përmirësimin e ekonomisë në vend, thekson se Kosova është karakterizuar me rritje shumë të lartë ekonomike se pjesa tjetër e Evropës.

Muja: 2024 do të jetë rekordi më i lartë që ka shënuar Kosova, rritja do të jetë mbi 4 për qind

“Kosova është një vend importues e cila dinamika e rritjes ekonomike varet shumë edhe çfarë po ngjet në Evropë. Edhe në të kaluarën Kosova ka pas rritje ekonomike, por e cila ka qenë në trendë të rritjes ekonomike gjetiu në Evropë. E veçantë në tre vitet e fundit, është që megjithëse BE, shembull në Eurozonë rritja ekonomike mund të ketë qenë 0.5 për qind, ndërsa Kosova është karakterizuar me rritje shumë të lartë ekonomike se pjesa tjetër e Evropës...01:39 Besoj se rritja ekonomike edhe këtë vit, janë tre dinamika që do të ndikojnë këtu, eksporti i madh i mallrave dhe shërbimeve, e dyta është konsumi që ndikohet edhe3 nga remitencat dhe konsumi i brendshëm, po ashtu edhe konsumi do të jetë faktor për rritjen ekonomike dhe e fundit është shpenzimet qeveritare, si në investime kapitale, që edhe vitin e kaluar ka qenë rekord historik, 2024 do të jetë ndoshta rekordi më i lartë që ka shënuar Kosova, apo në raport me GDP-në, apo shpenzimet e përgjithshme do të jetë për qindja më e lartë. Pra, rritja do të jetë mbi 4 për qind”, nënvizon Muja.

Derisa deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa konsideron se kjo qeveri ka filluar një propagandë duke krijuar numra që janë në shkëputje tërësisht nga realiteti ekonomik.

Mustafa shton se kjo qeveri nuk e ka përmbushur asnjë premtim të investimeve kapitale për tre vite nga ardhja në pushtet, për çfarë vlerëson se kanë dështuar në qeverisje.

Mustafa: Murati ka filluar një kampanjë të propagandës duke krijuar numra që janë të shkëputur nga realiteti ekonomik

“Ministria e Financave, fatkeqësisht ministri Murati ka filluar një kampanjë të propagandës duke fabrikuar, krijuar numra nga mendja e tij që janë të shkëputur tërësisht nga realiteti ekonomik në terren. Nëse dëshiron që të ketë informacion le të dalë dhe t’i pyes qytetarët a jetojnë më mirë ekonomikisht sot apo para tre viteve kur ai erdhi në pushtet. Rritja ekonomike, nëse përjashtohet viti pandemik, gjatë kësaj qeverie është më pak se katër për qind, që është nën mesataren e 10 viteve paraprake, secilin vit tjetër kemi pasur rritje ekonomike më të madhe se gjatë kësaj qeverisje...Ka shembuj që gjatë këtyre tre viteve asnjë projekt kapital nuk ka përfunduar nga kjo qeveri, përjashtuar një urë tremetërshe në Komunën e Istogut, asnjë tjetër nuk e ka filluar dhe mbaruar kjo qeveri. Mos të flasim për çerdhet, ka harruar premtimet ministrja Nagavci”, thotë Mustafa.

Ndërsa, deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj thotë se në vend rritja ekonomike është vetëm 3.3 për qind, jo më e madhe.

Lekaj: Ne kemi një rritje ekonomike 3.3 për qind dhe jo më tepër

“Me mashtrime kanë ardhë në pushtet, i kanë mashtruar qytetarët dhe për këto tre vite asgjë nuk kanë bërë që ka shkuar në favor të zhvillimit ekonomik e në favor të qytetarëve. Shifrat e tyre nuk korrespondojnë me gjendjen në terren dhe me zhvillimin ekonomik. Ne kemi një rritje ekonomike 3.3 për qind dhe jo më tepër. Nëse krahasojmë me vitet e mëparshme dhe pse ka zhvillim, por nëse tërheqim paralelet, jemi mbrapa në zhvillimin ekonomik, në subvencionimin e bizneseve dhe të ndërmarrjeve. Çdo ditë qytetari i Kosovës po varfërohet dhe po migrojnë”, thotë Lekaj.

Se vendi gjendet në një situatë jo të mirë ekonomikisht e thonë edhe njohës të ekonomisë. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thotë për KosovaPress, se shifrat e publikuara nga qeveria se ka rritje ekonomike, nuk janë reale.

Zeka: Janë disa prej parametrave të cilat rëndom nuk po përfshihen në kalkulimin e gjendjes reale ekonomike në vend

“Çdo gjë duhet të kalkulohet në mënyrë tjetër, d.m.th nuk duhet këto shifra të shikohen vetëm nga këndvështrimi nominal, duhet të merret parasysh edhe ngritja e standardit jetësor ose ngritja e kostos së jetesës. Në përgjithësi, duket se këto janë disa prej parametrave të cilat rëndom nuk po përfshihen në kalkulimin e gjendjes reale ekonomike në vend, duke përfshirë këtu edhe normën e rritjes ekonomike”, thotë Zeka.

Edhe kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Lulzim Rafuna vlerëson se shifrat janë shumë të ulta, sa që nuk lënë asnjë gjurmë në zhvillim ekonomik të vendit.

Rafuna: Shifrat janë shumë të ulta, sa që nuk lënë asnjë gjurmë në zhvillim ekonomik të vendit

“Shifrat janë shumë të ulta, sa që nuk lënë asnjë gjurmë në zhvillim ekonomik të vendit, për arsyeje se kontribuuese më i madh në këtë rritje, është sektori privat dhe konsumi. Institucionet publike dihet se kanë investuar shumë më pak. Ka pas mundësi të bëhet shumë më shumë, dhe ish dashtë të bëhet më shumë. Kërkesa jonë drejtuar institucioneve të vendit është që ta marrin më seriozisht investimin publik, për shkak se jo që ndikohet në rritjen ekonomike, mirëpo ndikohet edhe në ngritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e vendit, ta kenë prioritet sektorin privat, t’i ndihmojnë, jo vetëm duke i parë shifrat që ky sektor me vetiniciativë i bënë, por ta shohin edhe mënyrën si të bëjnë një ambient më të mirë për të sjellë investime të huaja kualitative në vendin tonë, por edhe që t’i zgjerojnë aktivitetet e tyre brenda Kosovës. Pra, duhet pako shumë më të mëdha që do të kishin ndihmuar edhe zhvillimin, rritjen e biznesit, por edhe motivimin e ardhjes e investitorëve të huaj. Duhet një qasje më pozitive, miqësore me sektorin provat nga ana e Qeverisë”, thotë Rafuna.

Anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen në tremujorin e katërt gjatë vitit të kaluar.

Ai në Facebook ka shkruar se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tremujorin e katërt 2023, rritja reale e ekonomisë ishte 3.96 për qind.

“Në grafikun më poshtë mund të shihni edhe krahasimin e performancës ekonomike të vendit nëpër vite. Përderisa me qeveritë e kaluara për tri vjet ekonomisë i shtoheshin vetëm një miliard euro, me Qeverinë Kurti për periudhën e njëjtë ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro apo mesatarisht gati një miliard në vit”, ka shkruar Murati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat