Mbi 90 për qind e veturave në Kosovë janë të vjetra

Ekonomi

Mbi 90 për qind e veturave në Kosovë janë të vjetra

Më: 1 gusht 2016 Në ora: 16:42
Ilustrim

Në Kosovë mund të importohen të gjitha veturat nga shtetet e Evropës dhe botës, pavarësisht vjetërsisë se tyre.

Ekspertë të mjedisit dhe përfaqësues të shoqërisë civile shprehin shqetësimin se përdorimi i veturave të vjetra në Kosovë, ka ndikuar në ndotjen e ajrit dhe rritjen e aksidenteve në trafik.

Në mars të vitit të kaluar, qeveria e Kosovës ka hequr kufizimet për importin e veturave, pavarësisht vjetërsisë.

Njëherësh, është ulur edhe akciza për import të veturave.

Sipas Ministrisë se Punëve të Brendshme në Kosovë, thuhet se automjete aktive në vend janë mbi 385 mijë. Kurse 308 mijë automjete janë regjistruar në vitin 2015, që përfshin regjistrimin e parë të automjeteve, vazhdimin e regjistrimit të automjeteve, legalizimin e automjeteve, si dhe ri regjistrimin e automjeteve.

Marrë në përgjithësi, mesatarja e vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vite, apo 10 vite më shumë se sa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda Bashkimit Evropian, thuhet në një analizë të publikuar në fund të vitit të kaluar nga Instituti për Hulumtime të Avancuara “ Gap”.

Jeton Mehmeti, nga ky institut, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se aktualisht në Kosovë 90 për qind e veturave janë të vjetra, dhe kjo, sipas tij, ka efekte negative në shoqëri.

“E para; siguria e qytetarëve është vënë në rrezik pasi kontrollet teknike nuk kanë shtuar masat për kontrollin teknik të veturave që regjistrohen në Kosovë. Dhe e dyta; kjo ka shkaktuar ndotje të madhe në ambient. Edhe ashtu Kosova ka një ndotje të madhe të ambientit nga industria prodhuese, kurse qarkullimi i veturave të vjetra ka shtuar edhe më shumë nivelin ndotjes se ambientit”, thotë Mehmeti.

Sipas shifrave zyrtare, tregu i Kosovës për vetura të vjetra shkon deri në 20 mijë në vit, kurse vetura të reja, mesatarisht 1,200 automjete të reja brenda vitit.

Trafiku apo makinat konsiderohen një ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë, konkretisht në Prishtinë, thotë Agron Bektashi nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC). Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë në rajonin e Prishtinës vetëm 2 për qind e makinave janë të prodhuar në vitin 2010- 2014, kurse rreth 30 për qind e makinave janë mbi 25 vjet të vjetra.

“Kjo është një përqindje mjaft e madhe, duke marrë parasysh se makinat e vjetra dhe sistemi i djegies së tyre nuk i plotëson kushtet as të drafteve evropiane, por as të mbrojtjes se mjedisit. Për aq më tepër që janë ndotës të drejtpërdrejtë, siç është lirimi i gazrave, krijojnë më tepër zhurmë dhe mbeturina etj.", shprehet Bektashi.

Përdorimi i këtyre makinave, thotë Bektashi, çdo ditë e më tepër po rrezikon shëndetin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës. Sipas tij, 50 për qind e makinave nuk është dashur të jenë në qarkullim në komunikacion.

“Mund të them se makinat të cilat në Kosovë kalojnë mbi 15 vjet, kurse mos të flas për këto që janë mbi 25 vjeç, janë një ndër ndotësit më seriozë të mjedisit edhe rrezikues direkt të sëmundjeve më organe aspirative, siç janë ato të frymëmarrjes, mushkërive e të tjera”, thotë Bektashi.

Efekti pozitiv i heqjes së kufizimeve të veturave është rritja e të hyrave doganore. Por, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se efektet negative në ambient, shëndet dhe rrezikshmëria në komunikacion tejkalojnë shumëfish efektet pozitive nga të hyrat doganare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat