Tkurren dërgesat- Tremujorin e parë 2016, emigrantët 13.8 mln euro më pak në atdhe

Ekonomi

Tkurren dërgesat- Tremujorin e parë 2016, emigrantët 13.8 mln euro më pak në atdhe

Më: 20 gusht 2016 Në ora: 17:46
ilustrim

Emigrantët kanë tkurrur dorën me familjarët e tyre dhe kanë sjellë më pak para në atdhe. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të këtij viti, remitancat arritën në 128 milionë euro, me rënie vjetore 13.8 milionë. Ndërsa kundrejt fundit të vitit 2015, rënie vlerësohet në 25.9 milionë euro. Ekspertët rendisin krizën në vendet europiane, por edhe integrimin e emigrantëve shqiptarë pas 2 dekadash emigracion, si faktorët kryesorë. Por sipas tyre, Qeveria duhet të kishte marrë masa që emigrantët t’i sillnin kursimet e tyre në formën e investimeve në Shqipëri.

Emigrantët shqiptarë po sjellin gjithmonë e më pak para pranë familjeve të tyre në atdhe.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e parë të këtij viti, dërgesat e emigrantëve ose ndryshe remitancat arritën në 128 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 13.8 milionë euro kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Rënie është shënuar edhe kundrejt fundit të vitit 2015. Sipas të dhënave, rënia tremujore vlerësohet në 25.9 milionë euro.

Zef Preçi, ekspert për ekonominë: Pakësimi i prurjeve vullnetare të emigracionit godet shtresën më të varfër të popullësisë pasi dihet që ka 2-3 vjet që sektori i ndërtimit që ka qenë absorvuesi i ndoshta gjysmës së prurjeve monetare në një dekadë, praktikisht nuk është më i tillë. Pas 12-15 vitesh, siç tregojnë studimet e vendeve të tjera që kanë një shekull që aplikojnë emigracionin, përgjithësisht ka një tendencë të natyrshme të rënies së prurjeve monetare. Faktori i dytë që mendoj që është determinant, janë efektet e zgjatura të krizës që prej 7-8 vitesh është prezente në vendet e BE, sidomos në vendet ku është një shumicë emigrantësh, kriza greke, problematikat që ka ekonomia italiane, ekonomitë e vendeve të tjera.

Kosta Bajraba, ekspert për çështjet sociale dhe ekonomike: Në të dyja vendet, edhe në Greqi, edhe në Itali, emigratët janë të punësuar në tre aktivitete kryesore: Në industrinë e ndërtimit, bujqësi dhe gratë kryesisht në shërbime familjare. Të tre këto sektorë janë goditur edhe nga kriza, edhe nga masat që kanë marrë qeveritë e këtyre vendeve për të përballuar krizën. Struktura e konsumit të emigrantëve po ndryshon. Edhe familjet e emigrantëve duke u shndërruar gjithnjë e më shumë në qytetarë europianë që punojnë në vende europiane kanë kërkesa gjithnjë e më të larta.

Ekspertët shpjegojnë se Qeveria duhet të kishte bërë më shumë për të tërhequr kursimet e emigrantëve në formën e investimeve në Shqipëri.

Zef Preçi: Mungojnë kanalet që utilizojnë, që fusin në përdorim këto para në një formë të besueshme, të pranueshme, të ligjshme, që i shndërron në një të mirë publike. Kursimet monetare të çfarëdo forme që janë, kur janë të ligjshme, përbëjnë një burim shumë të rëndësishëm për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Për fat të keq tek ne flitet, por mungojnë politikat, mungon vizioni.

Kosta Bajraba: Emigrantët përveçse kërkojnë të investojnë më shumë kur kanë mundësi, edhe priren të kursejnë më shumë nga frika dhe pasiguria për të ardhmen. Sepse nuk i dihet, parashikimet për ekonomitë e vendeve ku ata janë, sidomos të Greqisë, janë jo shumë optimiste.

Rënia e dërgesave të emigrantëve, përveçse në më pak të ardhura për mijëra familje në vend, përkthehet edhe në një mungesë valute për ekonominë.

Ekspertët argumentojnë se pakësimi i këtij fluksi valute ishte i pritshëm dhe duhet të ishin marrë masa që përpara shumë vitesh për kompensimin e këtyre humbjeve, me qëllim që efektet të mos ndiheshin në ekonomi.

DËRGESAT E EMIGRANTËVE

Tremujori i parë 2016 128.0 mln euro
Tremujori i parë 2015 141.8 mln euro
Rënia vjetore 13.8 mln euro

DËRGESAT E EMIGRANTËVE

Tremujori i parë 2016 128.0 mln euro
Tremujori i katërt 2015 153.9 mln euro
Rënia tremujore 25.9 mln euro

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat