Hamza: Reformat fiskale lehtësi për bizneset

Ekonomi

Hamza: Reformat fiskale lehtësi për bizneset

Më: 4 janar 2018 Në ora: 12:43
Foto nga konferenca

Që nga sot, bizneset private në Kosovë nuk do të paguajnë TVSH-në ende pa e shitur mallin e tyre, pasi që nga 1 janari i këtij viti ka filluar implementimi i politikave të reja fiskale.

Këtë e bëri të ditur ministri i Financave, Bedri Hamza pas një takimi që pati me përfaqësues të Asociacionit të bizneseve në Kosovë, ku u bisedua për politikat e reja fiskale dhe ndikimin e tyre të të bërit biznes.

 Ministri Hamza tha se politikat e reja fiskale kanë hyrë në fuqi që nga 1 janari i këtij viti, ndërsa në strategjinë e politikave fiskale është edhe kalimi i TVSh-së nga kufiri në brendi, gjë që do të ndikojë pozitivisht për sektorin privat në vend.

 Ai theksoi se tashmë ka mbetur që bizneset të marrin dokumentet e nevojshme në mënyrë që më pas të lirohen nga lënda bazë.

 Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, tha se agjenda ekonomike nuk ka alternativë dhe se është jashtëzakonisht e rëndësishme që po krijohen kushte për zhvillimin e sektorit privat, përkatësisht sektorin prodhues.

 "Ajo çka e bën  të veçantë këtë proces është fakti se në projeksionet buxhetore është paraparë rritja dhe mbështetja në arsim, teknologji e të tjera, që tregojnë hapa të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik", tha ai.

Kryetari i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka tha se derisa shteti po krijon lehtësira, është përgjegjësi edhe për bizneset që të jenë pjesë e përgjegjësisë kolektive.    

 Ndërkaq, kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha se masat e marra janë shumë të rëndësishme, porse ka ende për t’u bërë. Teksa theksoi se çdo euro e kursyer nënkupton rritje të investimeve dhe rritje të mirëqenies.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat