Qeveria nuk arriti t’i realizojë projektet ekonomike

Ekonomi

Qeveria nuk arriti t’i realizojë projektet ekonomike

Më: 5 janar 2018 Në ora: 13:11
Ilustrim

Ekonomia edhe gjatë vitit që shkoi vazhdoi të ë ketë probleme të mëdha. Qeveria as këtë vit nuk arriti t’i realizojë projektet madhore.

Brezovica nuk u koncesionua, “Kosova e Re”, përkundër arritjes së marrëveshjes në fund të vitit me kompaninë amerikane “Contur Global”, nuk filloi të ndërtohet. Telekomi e Posta e morën teposhtëzen.

 Ndërmarrjet strategjike sikur që është Trepça nuk nisi të funksionojë me ligjin e ri, ku Qeveria nuk arriti ta emërojë bordin në mënyrë që të fillojnë proceset.

Gjitha këto projekte që konsiderohen të dështuara gjatë vitit 2017 ka gjasa që sipas autoriteteve të realizohen gjatë këtij viti.

Pavarësisht rritjes ekonomike në 4 përqind, numri i të papunëve është rritur. Këtë e konfirmon edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili ka thënë se norma e papunësisë është diku 27 përqind.

Hamza: Kemi numër të lartë të papunësisë

“Shifrat e fundit nëse i referohemi Agjencionit të Statistikave të Kosovës sillen diku rreth 27 përqind. Po do të thotë është normë e lartë, a do të jetë 25 apo 30 përqind është normë e lartë e papunësisë. Ne kemi nevojë që të krijojmë kushte për sektorin privat që të jetë udhëheqës në rritjen ekonomike dhe gjenerues i qëndrueshme i vendeve të punës”, tha Hamza.

Këshilltari për ekonomi i kryeministrit, Ramush Haradinaj, Haki Shatri, i vetëdijshëm se shumë procese u prolonguan, thotë se Qeveria ka shumë sfida, por që do të merren me secilin problem.

Shatri: Trepça shpejt do të bëhet me bord

“Puna e parë që është bërë është shpall konkursi për bordin menaxhues të Trepçës, sepse ligji për Trepçën që synon me e shndërrua Trepçën në një ndërmarrje publike me një status të veçantë, kërkon këta hapa. Fillimisht duhet të zgjidhet bordi, themelohet bordi me procedura që vlen për ndërmarrjet publike. Bordi i fillon procedurat e veçanta me regjistruar te Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si ndërmarrje publike me krejt rregullat procedurat që duhet t’i ketë një ndërmarrje publike. Edhe pastaj të fillohet me veprime të tjera. Pa ndodhë këto aspekte formale, nuk ka shans me ndërhy se është çdo gjë e paligjshme. Konkursi është mbyll për drejtor të bordit, për anëtar të bordit, presim komisioni vlerësues të bënë punën e vet, i rekomandon Qeverisë, Qeveria i përcjell tutje për Kuvend“, tha Shatri.

Ndërsa për Brezovicën tha se Qeveria nuk ka marrë ndonjë hap konkret. Përderisa nuk heziton të tregojë që për keqmenaxhim të Telekomit e Postës, dikush do të japë përgjegjësi.

Shatri: Duhet të jepet përgjegjësi

“Për Brezovicë ende nuk ka ndonjë hap konkret, nuk është që është lënë jashtë kujdesit po nuk ka ndonjë hap që mund të themi kemi bërë diçka në krahasim me gjendjen që e kemi gjetë. Jemi duke i pa rrethanat, është pak më e koklavitur . .. Posta kemi vizituar postën, kemi bërë biseda me menaxhmentin, kryeministri ka kërkuar që ata brenda një afati të caktuar të bëjnë një plan për të dal nga situata në të cilën janë. Aty ka shumë nevojë për të ndryshuar vlera e saj, vlera e tregut të saj po vjen t’u ra për shkak të rezultateve afariste jo të mira. ... Me punësime, me keq menaxhim, me çdo gjë që mund të themi nuk është menaxhuar mirë. Këtu nuk mund të përjashtohet edhe përgjegjësia e qeverive që janë pronar të ndërmarrjeve publike, të pronës publike dhe që duhet të kujdesen jo për degradimin e pasurisë po për rritjen e vlerës së saj, është obligim kushtetues”, tha Shatri.

Kurse, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka treguar për përfitimet që Kosova do t’i ketë nga ndërtimi i Kosovës së Re dhe se parashihet të përfundojë në fillim të vitit 2023.

Sipas tij, ky projekt është 100 përqind privat. Qeveria e Kosovës, sipas tij, nuk ka hise në këtë ndërmarrje.

Ai tregoi se 30 përqind e këtij projekti do të jetë kapital privat i investitorit, kurse, 70 përqind do të jetë në formë të kredisë nga investitori privat tek institucionet e ndryshme financiare. Ai shtoi se Qeveria ka disa obligime të tjera që duhet t’i sigurojë investitorit.

Lluka: Qeveria ka obligim t’i siguroj tregun dhe lokacionin

“Qeveria e Kosovës nuk do të ketë obligime financiare që të fus në këtë projekt, përveç që do të ketë obligime financiare për ta rregulluar minierën e thëngjillit, sepse duhet të sigurohemi që do të ketë furnizim të vazhdueshëm dhe pa ndërprerë për thëngjill. Qeveria merr si obligim furnizimin me thëngjill të vazhdueshëm, merr për obligim furnizimin me ujë të vazhdueshëm, merr obligim sigurimin e lokacionit që do të bëhet ngjit me Kosovën B dhe merr si obligim gjithashtu për sigurimin e lokacionit për deponimin e hirit. Pra këto janë obligimet e pjesës tonë të cilat duhen të jenë pjesë, dhe ajo çka është obligimi më i madh dhe më i rëndësishëm është që ne ia garantojmë që do ta blejmë të gjithë kapacitetin prodhues”, tha Lluka.

Lluka thotë se investitori privat duhet ta bëjë ndërtimin, ta menaxhon të gjithë operacionin për 20 vite dhe pas 20 viteve e ka për obligim ta transferon në pronësi të Qeverisë së Kosovës. Po ashtu, tregojë se kur arrihet marrëveshja financiare do të shkojë në Kuvend për t’u votuar.

Lluka: Marrëveshja financiare e investitorit duhet të votohet në Parlament

“Unë besoj që deri në fund të vitit 2018 do të finalizohet marrëveshje financiare. Marrëveshje e cila garantohet nga Banka Botërore dhe e cila duhet të kaloj në Parlamentin e Kosovës me dy të treta e votave. Në momentin që votohet marrëveshja financiare, atëherë fillon menjëherë ndërtimi, që unë pres diku në fillim të vitit 2019. Kanë kohë me marrëveshje diku 3-5 vite ta finalizojnë këtë projekt. Pra, fundi 2022 fillimi 2023, do të ketë fillimin e parë të energjisë me këtë termocentral“, tha Lluka.

Projekt i madh është konsideruar edhe interesimi i një kompanie gjermane për të investuar në energjinë alternative, megjithatë, ky edhe investitorët tjerë potencial do të investojnë pasi të hy në fuqi ligji për investime strategjike, i cili ka kohë që është miratuar por që asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi për shkak se mungojnë udhëzimet administrative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat