OEK apelon të institucionet të mos e rrezikojnë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës

Ekonomi

OEK apelon të institucionet të mos e rrezikojnë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës

Më: 5 janar 2018 Në ora: 15:55
Oda Ekonomike e Kosova

Komuniteti i Biznesit, që në mënyrë legjitime përfaqësohet nga Oda Ekonomike e Kosovës, me shqetësim të thellë, është duke i përcjellë zhvillimet e fundit politike në vend, të cilat lidhen me përpjekjet për ndryshimin e qasjes ligjore dhe institucionale në raport me Gjykatën Speciale si dhe zhagitjen dhe lojën e fjalëve që po vazhdon në raport me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Duke pasur parasysh një fazë të gjatë të jostabilitetit politik në vend, me një parlament të paralizuar nga gazi lotsjellës dhe me disa cikle të stërzgjatura zgjedhore, si dhe vonesa të paarsyeshme në formimin e institucioneve në nivel lokal dhe qendror, kemi besuar fuqishëm që përfundimisht e gjithë shoqëria dhe lidershipi i vendit do të angazhohen maksimalisht, për një konsensus gjithëpërfshirës që zhvillimi ekonomik, si faktor kyç për stabilitetin në vend, të jetë top prioritet për të gjithë vendimmarrësit. Fatkeqësisht kjo nuk po ndodh ende dhe për më shumë, gjendja ekonomike ka tendencë të përkeqësohet, si rrjedhojë e izolimit në rritje të vendit tonë”, thuhet në një njoftim.

Izolimi politik dhe ekonomik, sidomos deri në shpalljen e pavarësisë, ka lënë pasoja të mëdha për trendin e rritjes ekonomike në vend, duke pamundësuar të jemi në hap me vendet fqinje, sidomos sa i përket procesit të integrimeve evropiane. Rinia, shkencëtarët e rinj dhe bizneset, që janë shtyllat kryesore të zhvillimit të tashëm dhe të ardhshëm të shoqërisë tonë, kanë pësuar më së shumti nga izolimi i padrejtë i vendit tonë, që së fundmi më së shumti po i kontribuon klasa politike e vendit tonë.

“Çdo tentativë për ndryshime sa i përket Gjykatës Speciale dhe çdo tentativë për kthim të demarkacionit në pikën zero është goditje direkte për zhvillimin ekonomik të vendit, më dëmë të pariparueshme dhe ndikime të drejtpërdrejta në investimet e huaja dhe eksporte. Për më shumë do të jetë sinjal i mjaftueshëm për ikjen e ndërmarrjeve ekzistuese që operojnë në Kosovë në vendet fqinje dhe ikje të fuqisë punëtore të kualifikuar në vende që ofrojnë mundësi shumë të mira për zhvillimin e tyre profesional. Gjithashtu e rrezikon realizimin e projektit me të madh investiv dhe më shpresëdhenës ekonomik, Termocentralit Kosova e Re. Apelojmë të institucionet dhe liderët e vendit të vendosin interesin shtetëror para çdo interesi tjetër dhe të marrin vendime të menduara mirë.”, thuhet në komunikatë të Odës.

Sipas komunikatës Evropa dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, nuk janë për t’iju përshtatur tekeve dhe interesave .

“Nëse këtë vit nuk liberalizohen vizat, do të jetë e pamundshme të presim një gjë të tillë deri ne vitin 2020, pasi që viti 2019 është vit zgjedhor në Bashkimin Evropian. Gjithashtu viti 2020 është krucial për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim ne BE, që do të ishte kulminimi i formësimit të shtetit tonë. Nëse vazhdojmë më qasjen vetë izoluese të muajve të fundit, dëmet do t’i bartim me dekada”, thuhet në komunikate.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat