KPK: Prodhuesit e Kosovës kanë probleme të shumta që duhen gjetur zgjidhje

Ekonomi

KPK: Prodhuesit e Kosovës kanë probleme të shumta që duhen gjetur zgjidhje

Më: 9 janar 2018 Në ora: 12:35
Klubi i Prodhuesve të Kosovës(KPK)

Klubi i Prodhuesve të Kosovës(KPK) reagon ndaj deklaratave se ndërmarrësit nga Kosova po e bllokojnë dhe janë shkaktarë të mosfunksionimit të tregut të përbashkët Shqipëri - Kosovë.

Sipas të dhënave në dispozicion në vitin 2017 Shqipëria eksporton në Kosovë mallra në vlerë rreth 150 milionë euro, ndërsa Kosova eksporton në Shqipëri rreth 35 milionë euro. Nga këto të dhëna shihet qartazi se produktet e Shqipërisë janë duke depërtuar shumë më lehtë në tregun e Kosovës sesa produktet e Kosovës në tregun shqiptar, thuhet në reagim.

Sipas KPK-së, tregtarët dhe prodhuesit nga Kosova kanë probleme të shumta që duhen gjetur zgjidhje sesa zhvendosja simbolike e pikës doganore në portin e Durrësit.

“Probleme këto që kanë të bëjnë me procedurat që aplikohen nga shteti shqiptar për produktet nga Kosova, si pagesa për skaner, mospranimi i certifikatave fitosanitare, kontrollet e gjata dhe të panevojshme produkteve, të cilat shkaktojnë vetëm vonesa dhe rrjedhimisht rritje të kostos. Këto janë problemet reale të cilat po ndikojnë në mosfunksionimin e një tregu të përbashkët”, thekson KPK.

Për më tepër, KPK konsideron se sa i përket kushteve e të bërit biznes, ndërmarrësit dhe prodhuesit nga Kosova ankohen për mos mbrojtje nga shteti shqiptar.

“Ambienti i të bërit biznes për ta vështirësohet kur hasin në probleme të ndryshme në mosrespektimin e kontratës, mos pagesës së mallrave dhe shërbimeve, shkatërrimin e pronës dhe shumë e shumë probleme tjera. Mungesa e sigurisë së shërbimeve bazë është edhe arsyeja pse shumë prej tyre hezitojnë që të shtrijnë aktivitetin e tyre afarist në tregun e Shqipërisë”, thuhet në reagim. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat