Hasani: Sektori i naftës nuk mund të rregullohet brenda ditës

Ekonomi

Hasani: Sektori i naftës nuk mund të rregullohet brenda ditës

Më: 15 mars 2018 Në ora: 14:18
Ministri Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani

Ministri Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani në Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, ka organizuar një aksion në sheshet e kryeqytetit, ku edhe vetë është angazhuar në shpërndarjen e disa fletushkave që kanë për qëllim vetëdijesimin e konsumatorëve për blerjet që bëjnë.

Hasani në një prononcim për media u shpreh se si MTI ka bërë shumë në vetëdijesimin e konsumatorëve, derisa shtoi se si rezultat i këtyre fushatave sensibilizuese, kanë arritur që të largojnë mallra pa afat.

Hasani: Qindra-mijëra euro mall janë larguar nga marketet për shkak të skadimit të afatit

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit. Ne si Ministri kemi punuar shumë në avancimin dhe vetëdijesimin e konsumatorëve, përmes fushatave të vazhdueshme për vetëdijesimin e tyre, t’iu tregojmë se çdo konsumatorë ka të drejtë ankese në zgjedhjen e lirë të produkteve të tyre. Ne si ministri kemi kompetencë edhe në ndërhyrjes sa i përket rregullimit të tregut, kemi inspektoratin dhe besoj se do të na ndihmojnë qytetarët më së miri. Ju e dini kemi pasur edhe fushatë të kontrollit sa i përket supermarketeve dhe ajo fushatë ka rezultuar me shumë sukses për shkak se qindra-mijëra euro mall janë larguar nga marketet me afat të skaduar”, tha ai.

Për më tepër, Hasani theksoi se kanë krijuar qasje dhe mundësi që konsumatorët të adresojnë të gjitha pakënaqësitë e tyre, dhe sipas tij, për të lehtësuar këtë procedurë, si ministri janë në koordinim të plotë me Departamentin e Konsumatorin dhe Inspektoratin.     

Sa i përket çështjes së kompanisë kosovare, e cila ka sjellë së fundi mish të Belgjikës në Kosovë, ministri tha se kanë ngritur një grup punues për të parë konkretisht situatën, por shtoi se është kompetencë e AVUK-ut cilësia e produkteve ushqimore.

I pyetur për cilësinë e naftës në Kosovë, Hasani tha se që prej marrjes së mandatit kanë gjetur disa defekte për të cilat u shpreh se shumë shpejt do të ndërmarrin hapa konkret për krijimin e një sistemi të mirëfilltë.

Hasani: Sektori i naftës nuk mund të rregullohet brenda ditës

“Dy ministrat e fundit kanë krijuar disa rregulla të cilat nuk kanë qenë të zbatueshme. Nuk jemi të kënaqur me zbatimin e tyre. Kemi formuar një grup punues, na ka ardhur një draft, jemi duke e shqyrtuar, po mendojmë të gjejmë një modalitet që ta krijojmë një sistem, sepse sa i përket naftës, një sektor i ndjeshëm, i cili e prek secilin qytetarë, nuk mund të rregullohet brenda ditës”, theksoi ai.

Ministri Hasani bëri ë ditur se çdo ditë ka shqiptime të gjobave ndaj ndërmarrjeve, porse nuk bëhen publike të gjitha për shkak të reputacionit të tyre.

E për qytetarët Dita Ndërkombëtare e Konsumatorëve nuk duket të ketë ndonjë peshë të veçantë.  Kështu për qytetarin Murat Gërbeshi, kjo ndodh për shkak se në Kosovë qytetarëve iu ofrohen produkte fals.

Ai ka thënë se produktet që iu servohen nuk kanë ndonjëherë as afatin e skadencës.

Gërbeshi: Na kanë tmerruar

Video“Nuk po e dimë së pari çka po marrim, sepse nuk kanë tiketa, nuk kanë afat të skadimit. Po i bëjnë fals. Na kanë tmerruar, tash veç me ia nis me marrë ndonjë spec apo domate, tjetër nuk ka”, u shpreh Gërbeshi.

I të njëjtit mendim është edhe Musa Bajraktari, i cili në një prononcim për KosovaPress ka shpjeguar se mallrat që vijnë në Kosovë nuk janë të sigurta për shkak të mungesës së laboratorëve.

Bajraktari: Konsumatorët në Kosovë janë total të pasigurt

“Mendoj se konsumatorët në Kosovë janë total të pasigurt, sepse në tregun tonë po sjellin gjithçka. Posaçërisht prodhimet që vijnë nga Serbia, nga Maqedonia, besa dhe nga Mali i Zi  janë total të dyshimta. Ne nuk kemi laboratorë, nuk merret askush me to. Ato vijnë të kontaminuara, mund të vijnë me ndonjë virus që mbas 2-3 vitesh e kap sëmundja”, u shpreh ai.

Ndryshe, sot në seancën e Kuvendit ka kaluar projektligji për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorit, gjë që përkoi në Ditën Ndërkombëtare të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat