Hasani ndan rreth dy milionë euro për Zonën Ekonomike të Vitisë

Ekonomi

Hasani ndan rreth dy milionë euro për Zonën Ekonomike të Vitisë

Më: 19 mars 2018 Në ora: 16:20
Bajram Hasani dhe Sokol Haliti

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani sot ka nënshkruar marrëveshje me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Halitin, për ta financuar zonën ekonomike në këtë qytet që kap vlerën e mbi dy milionë eurove.

Hasani ka thënë se i tërë projekti do të financohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, duke shtuar se kanë mbetur edhe disa detaje që projekti të nisë jetësimin.

Sipas tij, kjo zonë ekonomike do ta ketë edhe një hapësirë të veçantë për investitorët e huaj që do të vijnë në Kosovë.

“Jemi të interesuar që ta jetësojmë sa më parë zonën ekonomike në Viti, për shkak se është interes edhe i biznesit, sepse po presim edhe investitorë nga jashtë, dhe do t’iu lëmë hapësirë të veçantë. Ju e dini që e kemi kaluar Ligjin për Investime Strategjike dhe kemi disa biznese që kanë aplikuar për investitorë strategjikë dhe po presim që të pozicionohet, pse jo edhe në zonën ekonomike të Vitisë”, ka thënë ministri Hasani.

Ai i ka bërë thirrje edhe kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, që ta ndajë pronën për Zonë Ekonomike, duke parapa që të investohen mbi 5 milionë.

Ndërsa, kryetari  i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka thënë se kjo zonë ekonomike do t’i ndihmojë shumë bizneset që të operojnë dhe do të përfshijnë 3 qytetet që mund të gravitojnë.

“Besojmë që kjo zonë ekonomike do të jetë model i riorganizimit të investitorëve dhe natyrisht i rrumbullakimit të procesit prodhim-përpunim. Qëllimi ynë është të bëjmë zhvillimin ekonomik lokal dhe regjional”, ka thënë Haliti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat