Me të gjitha votat për miratohet raporti vjetor financiar i ZRrE-së

Ekonomi

Me të gjitha votat për miratohet raporti vjetor financiar i ZRrE-së

Më: 11 prill 2018 Në ora: 14:20
Foto nga takimi

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e radhës ku si pikë e rendit të ditës ishte edhe Shqyrtimi i raportit vjetor financiar të ZRrE-së. Ky raport përmbante shpenzimet, trajnimet, puna e stafit, harxhimet për secilin sektor. Sa u përket mbulimeve të shpenzimeve për Veriun, Arsim Janova nga ZRrE-ja tha se kanë qenë të detyruar ta lajmërojnë KOSTT-in që pjesa tjetër e Kosovës prej dhjetorit nuk do të paguajë për 4 komunat veriore, por që, sipas tij, nuk e kanë obliguar KOSTT-in ta ndalë furnizimin por të bëjë një zgjidhje për këtë çështje. Ndërsa për këtë çështje, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku propozoi që Qeveria të bëjë një zgjedhje gjatë dialogut në Bruksel, sepse, sipas tij, nuk ka mbetur ndonjë alternativë tjetër për ta kompensuar atë pjesë.“Të bëjë një zgjidhje Qeveria gjatë dialogut në Bruksel. Nuk ka zgjidhje tjetër”, ka thënë Abdixhiku. Dardan Molliqaj, nga GDP-ja, sa i përket raportit vjetor të ZRrE-së pyeti për shpenzimet e mëdha në telefona, që sipas tij është e panevojshme që i gjithë stafi të ketë mbushje telefoni.“Pse shkojnë kaq shumë shpenzime telefoni, pse të gjithë të kenë mbulim të shpenzimeve të telefont. Të rishikohet ajo”, ka thënë Molliqaj.Ndërsa Janova tha se pajtohet që është shpenzim i madh dhe i panevojshëm, por që sipas tij duhen shpenzime të tilla sepse komunikimi është i madh me të licensuarit.“Kemi pasur kontratë me Ipkon, kontratë vjetore, tashmë ajo ka përfunduar dhe jemi detyruar të përmbahemi me Valën, e kemi kontratën me Valën. Komunikimi është i madh edhe me të licensuarit dhe mendoj që për atë nevojiten shpenzimet, është e tepërt ajo, po pajtohem”, ka shtuar Janova. Abdixhiku ka thënë se është përparësi e ZRrE-së që në raportin e saj ka treguar që nuk kanë shtesa të tjera përveç pagës bazë, por që, sipas tij, shpenzimet rreth 30 mijë euro për udhëtime zyrtare janë të tepërta.“Unë kam kërkuar nga ZRrE-ja se a kanë shtesa të tjera dhe janë përgjigjë se nuk kanë. Për telefoni është standard më i lartë. Në raport thuhet se udhëtimet zyrtare kanë arritë shifrën 30 mijë euro, a ka nevojë kaq shumë udhëtime zyrtare”, ka shtuar Abdixhiku. Molliqaj propozoi që të rriten shpenzimet për trajnimin e stafit të ZRrE-së, që sipas tij në atë raport thuhet se janë ndarë vetëm 2000€ dhe që janë shumë pak në krahasim me rëndësinë që ka trajnimi i stafit.“Duhet me i rritë shpenzimet në trajnimin e stafit. Sa e pashë në raport ishin vetëm 2000€ dhe është shumë pak, do duhej të ishte më shumë e planifikuar shuma në këtë aspekt”, ka thënë Molliqaj. U hodh në votim raporti vjetor financiar i ZRRE-së, me të gjitha votat për, kalon dhe i dërgohet Kryesisë për shqyrtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat