Pajisjet e IT-së lirohen nga tatimi doganor

Ekonomi

Pajisjet e IT-së lirohen nga tatimi doganor

Më: 11 prill 2018 Në ora: 17:14
Ministri i Financave, Bedri Hamza

Ministria e Financave ka marrë vendim për lirimin nga tatimi doganor për pjesët rezervë për pajisjet e prodhimit për subjektet, të cilat janë të regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës si prodhuese. Po ashtu, nga tatimi doganor janë liruar të gjitha pajisjet e IT-së edhe për ndërmarrjet, edhe për qytetarët.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se me vendimin për lirimin e pjesëve rezervë për prodhuesit, Qeveria e  Kosovës ofron një mundësi të madhe prodhuesve për të prodhuar me kosto më të ulët.

Hamza: I lirojnë nga tatimi i doganës pjesët rezervë që përdoren në procesin e prodhimit

“Sot Ministria e Financave ka sponsorizuar vendime të reja të cilat i lirojnë nga tatimi i doganës pjesët rezervë që përdoren në procesin e prodhimit, në linjat e prodhimit për të gjitha ndërmarrjet prodhuese në Kosovë. Përveç pjesëve rezervë që besoj se do të jetë një ndihmesë e madhe sidomos për ndërmarrjet prodhuese, por edhe për tërheqjen e investimeve të huaja direkte ne kemi liruar nga tatimi i doganës edhe të gjitha pajisjet e IT-së edhe për ndërmarrjet po edhe për qytetarët. Me qëllim që në këtë fushë sa më shumë të jemi të angazhuar, sa më shumë të krijohen vende të reja të punës, sidomos për ndërmarrjet e reja dhe për të rinjtë, me qëllim që të kryejmë shërbime edhe brenda vendit tonë ato t’i eksportojmë për kompanitë jashtë Kosovës”, tha ai.

Ministri Hamza tha se këto nuk janë vendimet e fundit, të cilat janë në planin e tyre të punës.

Hamza: Këto nuk janë masat e fundit të cilat janë në planin tonë

“Janë vendime të cilat i kemi diskutuar me komunitetin e biznesit janë mirëpritur prej komunitetit të biznesit dhe jemi të sigurt që do të japin efekte pozitive. Këto nuk janë masat e fundit të cilat janë në planin tonë, ne jemi duke punuar dhe jemi para përfundimit edhe të drafteve të ligjeve edhe për tatimin në vlerën e shtuar, ku e dini që e kemi deklaruar se do të kalojmë në mbledhjen e TVSH-së në brendi edhe të tatimit në fitim të korporatave ku do t’i adresojmë shqetësimet dhe shumë nevoja të biznesit, tatimit në fitim të të ardhurave individuale dhe ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat. Besoj se deri kah fundi i vitit ne do të arrijmë që ta kompletojmë infrastrukturën legale dhe pastaj prej vitit të ardhshëm vazhdojmë edhe me implementimin e ligjeve të cilat priten të aprovohen në ditët në vijim”, u shpreh ministri Hamza.

Vendimi për lirim nga tatimi doganor përfshin pajisjet e teknologjisë  informative, sikurse janë printerët, skanerët për kompjuterë, ngjyrat që lidhen me çipa të ketrigjave, serverët, shtëpizat, kartelat amë, ram, qendra e procedimit qendror të të dhënave, DD Ram, SD Ram, të gjitha makinat për zyre apo ato të cilat mund të përdoren në ofrimin e shërbimeve.

Po ashtu, lirohen furnizuesit me rrymë, invertorët për sistem kompjuterik, modemet, ruterat etj, altoparlantët për sisteme kompjuterike, mediumet optike, CD, DVD Softuer, Softuer rrjeti, USB, Flash, video digjital kamerat për sisteme kompjuterike, monitorët monokrom, me ngjyra në forma  LCD, LED OLED, modulet digjitale, konektorët për fibra optike, kabllo optike, bordet, panele dhe kabinat për të dhëna, modulet dhe pajisjet për Box Digjital.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat