Bije prodhimtaria bujqësore

Ekonomi

Bije prodhimtaria bujqësore

Më: 10 maj 2018 Në ora: 18:19
Ilustrim

Indeksi i prodhimeve bujqësore në Kosovë në tremujorin  parë të vitit 2018 ka rënie për (-1.81%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e parë (TM1 2018)

Sipas statistikave të ASK-së, në tremujorin e parë të vitit 2018, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rënie për (- 1.27%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (-3.72 %).

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rënie për (-1.81%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit  2017.

Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat