Ministri i Zhvillimit Ekonomik: Ulje të pagave në PTK po, por jo 40 për qind

Ekonomi

Ministri i Zhvillimit Ekonomik: Ulje të pagave në PTK po, por jo 40 për qind

Më: 19 maj 2018 Në ora: 15:34
Valdrin Lluka

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka mohuar uljen e pagave prej 40 për qind për punëtorët e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Ai ka thënë se të gjitha lajmet që lidhen me këtë temë janë spekulime, pa asgjë të vërtetë, sepse ai kurrë nuk ka folur për një ulje të këtillë pagash.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka theksuar se duhet punuar në kthimin e PTK-së në ndërmarrje fitimprurëse, por jo në këtë formë.

Reagimi i tij:

Ulja e pagave prej 40% për Telekomi i Kosovës është një spekulim dhe nuk është thënë asnjëherë nga asnjë zyrtar Qeveritar. Në asnjë moment nuk e kam përmendur idenë për ujle drastike të pagave siç po flitet në portale përmes një lajmi të shkruar nga KosovaPress.

Ajo çfarë kam deklaruar dhe qëndroj prapa është fakti që Telekomi është në krizë serioze dhe para falimentimit, gjë që është raportuar nga vetë Bordi i Telekomit dhe si rezultat, do të merren masa për shpëtimin e këtij aseti strategjik për vendin.

Telekomi ka një humbje prej 15 milionë EUR në vit dhe duhen të gjenden forma se si ti mbulojmë këto humbje. Masat se pari do të fokusohen në ulje të shpenzimeve operative siç janë qiratë, kostot e mirëmbajtjes dhe marketingut. Nëse këto masa nuk janë të mjaftueshme për mbulimin e të gjitha humbjeve, atëherë do të prekën të fundit edhe pagat për humbjen e mbetur. Në asnjë formë zvogëlimi nuk do të jetë 40%.

Edhe 1 javë do të pranojmë planin e ristrukturimit nga Bordi i Telekomit, ku parashihen edhe masat emergjente që duhen të ndërmerren nga Bordi i Telekomit me aprovim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, jam i palëkundur në mbrojtjen e interesit publik dhe afarizmit të ndërmarrjeve publike. Telekomi i Kosovës është pronë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, rrjedhimisht nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj rrezikut që po i kanoset kësaj ndërmarrje e që shpejtë edhe mund të falimentojë. Bashkë me Kryeministrin, Bordin e Drejtorëve dhe Sindikatën e Punëtorëve, do t’i japim zgjidhje problemeve dhe do të ndalojmë falimentimin e ndërmarrjes, kjo përkundër presioneve e pakënaqësive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat