Zhvillimi ekonomik parakusht për mbijetesën e popullit serb

Ekonomi

Zhvillimi ekonomik parakusht për mbijetesën e popullit serb

Më: 21 maj 2018 Në ora: 14:34
Ekipi menaxhues për themelimin e bashkësisë së komunave serbe takim me drejtuesit e subjekteve më të mëdha ekonomike

Ekipi menaxhues për themelimin e bashkësisë së komunave serbe bisedoi sot me drejtuesit e subjekteve më të mëdha ekonomike në veri dhe me dekanin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, me seli të përkohshme në Mitrovicë të Kosovës, mbi krijimin e kushteve për një zhvillim më dinamik të komunave me shumicën serbe.

Në përputhje me faktin se bashkësia e komunave serbe, sipas marrëveshjeve të arritura në Bruksel, do të ketë, ndër të tjera, autoritet për të ushtruar kontroll të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik të komuniteteve lokale, Ekipi menaxhues dëgjoi sugjerimet e ekspertëve, duke i vlerësuar si të dobishme dhe konstruktive.

Në takim u tha se zhvillimi ekonomik i papenguar është një parakusht i rëndësishëm për mbijetesën e popullit serb, dhe u shkëmbyen mendime mbi strukturën e draft statutit të bashkësisë së komunave serbe për pjesët që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, thuhet në komunikatë.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës, me seli të përkohshme në Mitrovicë të Kosovës, Tanja Vujoviq, tha se autonomia ekonomike është e nevojshme për serbët.

Në takim mori pjesë edhe njeriu i parë i Kombinatit Trepça në veri, Jovan Dimkiq, dhe drejtori i termocentralit Gazivode, Srgjan Vulloviq, sipas të cilëve kompetencat e ardhshme të fuqishme të bashkësisë së komunave serbe në fushën e ekonomisë janë parakusht i rëndësishëm për funksionimin e qëndrueshëm të këtyre sistemeve në të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat