Deficiti tregtar më i lartë për 10.9 për qind në muajin prill 2018

Ekonomi

Deficiti tregtar më i lartë për 10.9 për qind në muajin prill 2018

Më: 24 maj 2018 Në ora: 17:59
Foto ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin prill 2018.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 10.9 për qind në muajin prill 2018, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 244.7 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 220.6 milionë Eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 9.4 për qind.

Po sipas statistikave të ASK-së, eksporti i mallrave në muajin prill 2018 kishte vlerën 25.5 milionë euro, ndërsa importi 270.3 milionë euro, që është një rënie prej 18.2 për qind për eksport dhe një rritje prej 7.3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.8% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.5 për qind e përbëjnë produktet minerale; 15.1 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.8 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 4.6 për qind e përbëjnë produktet bimore; 3.9 për qind e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 3.9% e përbëjnë tekstili dhe artikuj prej tij; 3.0 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.9% të importit e përbëjnë  produktet minerale; 12.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.6% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.2% e përbëjnë mjetet e transportit; 5.2% e përbëjnë produktet bimore etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 8.1 milionë Euro, ose rreth 31.8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 28.8%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.1%), Britania e Madhe (4.9%), Holanda (4.3%), Italia  (2.8%) dhe Bullgaria (2.3%).

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 115.4 milionë Euro, ose 42.7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 6.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.3%), Italia (5.7%), Greqia (4.1%), Sllovenia (2.8), Polonia (2.8%) etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s në muajin prill 2018 arritën në 13.8 milionë Euro, ose 54.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 17.2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (21.7%), Maqedonia (14.9%) Serbia (9.1%), dhe Mali i Zi (5.9%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin prill 2018 arritën në 72.4 milionë Euro, ose 26.8% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 2.3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (13.7%), Maqedonia (5.3%), Shqipëria (4.9%) dhe B&H (2.4%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.5 milionë Euro, ose 14.1%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (8.2%) dhe Turqia (3.3%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 82.4 milionë Euro, ose 30.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.4%) dhe Kina (6.9%). 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat