Gërxhaliu: Korrupsioni po i godet rëndë bizneset

Ekonomi

Gërxhaliu: Korrupsioni po i godet rëndë bizneset

Më: 14 qershor 2018 Në ora: 14:06
Safet Gërxhaliu

Një ndër barrierat më të mëdha për bizneset mbetet korrupsioni, ekonomia informale, furnizimi me energji elektrike, kostoja e lartë energjisë elektrike, kamatat e larta dhe burokracia.

Kështu ka thënë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në konferencën lidhur me dialogun dhe ambientin e të bërit biznes-politikat fiskale.

Ai tha se këto barriera janë te të gjitha bizneset kosovare.

Gërxhaliu: Korrupsioni po e godet sektorin privat

“Sfida më e madhe në pesë vitet e ardhshme, duke filluar që nga tash është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, jo vetëm në aspektin profesional, mirëpo edhe në aspektin që duhet të gjendet modaliteti I ndaljes së akademizmit të të rinjve. Sot në Prishtinë kemi me mbi 20 mijë studentë me diplomë bachelor dhe master, dhe nga e tërë kjo po krijohet një psikologji që ata nuk kanë fleksibilitet me u marr me sfida të tjera. Dhe nuk besoj që një ekonomi e Kosovës mund të garantoj punë për ata që janë bankier dhe jurist. Një dukuri tjetër që e godet sektorin privat me më tepër se 28.5 për qind është korrupsioni”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndërsa, ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se ministria që ai drejton ka krijuar mekanizma për zvogëlimin e informalitetit, pasi dëmton bizneset dhe buxhetin e Kosovës.

Hamza: Jemi duke punuar për ta zvogëluar informalitetin

“Janë problem të cilat ne nuk mundemi me I injoruar, por ne kemi nevojë me I adresuar. Zakonisht kur flas për konkurrencën jo lojale, kurrë nuk e qes në rend të parë të hyrat për buxhetin, konkurrenca jo lojale e para, është e dëmshme dhe e rrezikshme për bizneset. Në këtë drejtim ne si Ministri e Financave e kemi krijuar sekretariatin për luftimin e ekonomisë jo formale, e kemi krijuar Taskforcën dhe jemi në baza mujore, në baza ditore duke punuar me qëllim të zvogëlimit të informalitetit. Është i dëmshëm për ekonominë, është i dëmshëm për buxhetin e shtetit. Të gjithë e dimi që ekziston”, ka thënë ministri Hamza.

Ai ka porositur bizneset t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre ligjore dhe të mos japin ryshfet ose para askujt, ndërkohë që paralajmëroi  krijimin e ligjeve brenda këtij viti për reformën fiskale për bizneset.

Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së transportit të udhëtarëve, ka ngritur shqetësim për ligjin e TVSh-së dhe këto politika fiskale të rregullohen sikur në vendet e rajonit, pasi sipas tij, është i pafavorshëm për transportuesit.

Kurtishaj: Me politikat fiskale jemi në situatë të pafavorshme

“Ne nuk kemi se si të mos i ngremë shqetësimet tona që jemi shumë të dëmtuar nga Ligji për Tatimin në Vlerën e Shtuar, ndryshe njihet si ligji më famëkeq deri tash për gjithë sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve. Zoti ministër, janë bërë disa takime, janë bërë disa shkresa, është bërë një punë shumë e madhe dhe ne si shoqatë jemi të interesuar t’ju tregojmë sot juve dhe gjithë opinionit që brenda shoqatës ka kapacitete njerëzore për të dhënë kontributin e tyre me të vetmin qëllim që këto politika të rregullohen një herë e përgjithmonë dhe në ta kemi trajtimin e barabartë në raport me operatorët ekonomik sit ë regjionit dhe të Evropës, sepse jemi në një situatë shumë të pafavorshme”, ka thënë Kurtishaj.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani kërkoi heqjen e taksës për kyçje në rrugë, pasi sipas tij, është premtim se do të eliminohet kjo taksë vjetore. Ai tha se kjo taksë  duhet të paguhet vetëm kur merret leja e ndërtimit. Po ashtu ai ka kërkuar edhe heqjen e akcizës për gaz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat