OEK dënon gjobitjen e kompanisë “Elkos”, kompania thotë se do të kërkojë drejtësi - Bota Sot
OEK dënon gjobitjen e kompanisë “Elkos”, kompania thotë se do të kërkojë drejtësi

Ekonomi

E hënë, 24 shtator 2018

OEK dënon gjobitjen e kompanisë “Elkos”, kompania thotë se do të kërkojë drejtësi

Më: 28 qershor 2018 Në ora: 14:15
Konferenca e OEK

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar pas dënimit që Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka bërë kompanisë “Elkos” në vlerë prej 1 milion e 3 mijë euro, duke thënë se është një goditje që i bëhet një biznesi vendor.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, ka thënë se “Elkos” është një brend që e bën krenare ndërmarrësinë kosovare dhe goditja e kësaj kompanie për revanshe politike është shqetësuese.

Në arsyetimin e saj AKP ka thënë se “Elkos” nuk ka përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj ndërmarrjes “Famipa” nga Prizreni, kompani kjo që udhëhiqet nga deputeti i LDK-së Ramiz Kelmendi.

Gërxhaliu: Ka politizim të Agjencioneve karshi bizneseve

“Është një politizim i skajshëm i qasjes së disa institucioneve dhe agjeniconeve përballë bizneseve, në këtë drejtim nuk i bëhet nder Kosovës dhe nuk i bëhet nderë ardhmërisë së Kosovës në qoftë se vazhdohet me këtë penalizim të kundërshtarëve politik. E pata shumë të vështirë të dal në konferencë për media sepse e lypa vendimin e Agjencionit Kosovar të Privatizimit në bazë të çka është dënuar Elkos Group. Paramendojeni përveç që kanë shpërndarë një informatë në media edhe vet ata që kinse janë të gjobitur nuk kanë vendim. Shumica e asaj që ka ndodhur është paradoksale”, tha ai.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës tha se gjobitja e “Elkosit” e dëmton në imazhin e Kosovës, ku ai tha se kush do të vij të investojë në Kosovë nëse vendi sillet në këtë mënyrë me kompanitë vendore.

Po ashtu, ai tha se ky rast duhet të jetë i fundit që në këtë mënyrë dëmtohet sektori privat.

Gërxhaliu: Do të jemi me kompaninë Elkos në çdo rrugëtim

“Do të jemi me kompaninë Elkos në çdo rrugëtim me të vetmin qëllim që e drejta të triumfojë dhe le të jetë ky rasti i fundit që në këtë mënyrë agresive dëmtohet sektori privat, dëmtohet ndërmarrësia kosovare dhe dëmtohet imazhi dhe ambienti i të bërit biznes në Kosovë. Duhet të ndalet politika nga ekonomia dhe ata që e dëshirojnë dhe investojnë në ardhmërinë e Kosovës duhet ta kuptojnë që nuk është agjenda politike ajo që determinon garancion për stabilitetin ekonomik dhe social, por është sektori privat, është zhvillimi ekonomik dhe ky duhet të jetë orientim i të gjithë neve. Jo gjithmonë kompanitë e tilla të jenë të atakuar dhe të shantazhuara në këtë formë”, tha ai.

Ndërsa, Faton Islami nga Elkos, tha se kompania e tyre ka përmbushur të gjitha detyrimet që janë paraparë në kontratë, e cila është nënshkruar më 2011 dhe për këtë ai tha se kanë dëshmi.

Islami tha se kanë qenë dy detyrime kontraktuale dhe sipas tij të dyja janë plotësuar, ndërkohë që potencoi se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi dhe nëse është e nevojshme edhe në institucionet ndërkombëtare.

Islami: Ne të dyja i kemi përmbushur dhe i kemi të dëshmuara me fatura

“Dy detyrime kontraktuale kanë qenë si pjesë e veçantë e kontratës, ka qenë shtojca B, do të thotë ka qenë ruajtja e aktivitetit për tri vitet e ardhshme dhe ka qenë pajisjet të mos dislokohen. Ne të dyja i kemi përmbushur dhe i kemi të dëshmuara me fatura, me punëtorët që janë paguar, me përpunim e kemi mbajtur aktivitetin dhe jo vetëm tri vjet po kemi vazhduar edhe dy vite mbasi që e kemi pasur debatin. Të gjitha janë të dëshmuara. Me siguri që kemi me ankimu dënimin dhe besoj që në qoftë se duhet me dal edhe jashtë Kosovës me kërkua drejtësinë duhet me kërkua”, tha ai.

Gjoba që AKP i ka dhënë kompanisë “Elkos” është bërë nën arsyetimin se kjo kompani nuk ka përmbushur detyrimet kontaktuale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test