Veseli: OEK, shembull si duhet shpenzohet paraja

Ekonomi

Veseli: OEK, shembull si duhet shpenzohet paraja

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 14:16
Safet Gërxhaliu dhe Kadri Veseli

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli raportin e auditimit të institucionit që ai drejton.

Gërxhaliu pas takimit me kryetarin Veseli tha se raporti  i auditimit për vitin 2017, është pa asnjë të gjetur negative dhe se ky do të jetë një motiv shtesë, që të kuptohet rëndësia e sundimit të rendit dhe ligjit, transparencës dhe të kthehet besimi i qytetarëve tek institucionet sa i përket menaxhimit të parasë publike.

Gërxhaliu: Me krenari ia dorëzuam raportin kryetarit Veseli

“Jemi këtu sot që me krenari t’ia dorëzojmë kryetarit të parlamentit, institucionit më të lartë në Kosovë, raportin e auditorit për vitin 2017, 2016 dhe për 2015. E kemi bërë këtë bazuar në faktin që ky institucion, ose Parlamenti i republikës së Kosovës, në tri vitet e fundit bazuar në të gjeturat e auditorit të përgjithshëm, ka qenë një nder institucionet më transparente. Që vërtet i jep vulë demokracisë, bazuar në transparencë dhe në kujdes se si të shpenzohet dhe menaxhohet paraja publike”, tha ai.

Kryeparlamentari  Veseli tha se institucionet duhet të jenë syçelë sa i përket shpenzimit të parasë publike, ndërsa raportin e auditimit të OEK e vlerësoi të  shkëlqyeshëm dhe shembull të transparencës si duhet shpenzuar paraja.

Veseli: Raporti për OEK-un, shembull i mirë

“Sa i përket raportit të auditorit është një shembull i mirë. Jam shumë i lumtur për arsye se OEK e ka  lidhshmërinë me Kuvendin nga baza legjislative. Por në të njëjtën kohë duhet ta konstatoj këtë fakt. Kuvendi i Republikës së Kosovës, po ashtu është kampion në auditimet në të cilat ndodhin gjithë këto vite. Unë e përgëzoj Kuvendin e republikës së Kosovës, për punën që e bënë në mënyrë të jashtëzakonshme dhe transparente. Po flas e ka një vazhdimësi. Nuk ishte ideja ta them vetëm çështjen e mandatit tim si kryetar i Kuvendit, por kuvendi i Kosovës e ka një vazhdimësi. Unë si kryetar i Kuvendit, vetëm e kam thelluar procesin e transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve tanë. Ky duhet të jetë shembull në  të gjitha institucionet që duhet të përcillet ”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat