Gjykatat joefikase i dekurajojnë investitorët

Ekonomi

Gjykatat joefikase i dekurajojnë investitorët

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 12:33
Pamje nga një fabrikë e ujit në Gjilan

Samiti i Londrës ka ritheksuar nevojën për vendet e Ballkanit Perëndimor që të shënojnë përparime në fushën e sundimit të ligjit, për të krijuar një ambient të përshtatshëm për investitorët nga jashtë. Në këtë aspekt, Kosova vlerësohet se qëndron ende mjaft keq.

Brishtësia e funksionimit të rendit dhe ligjit në Kosovë, nga organizatat që monitorojnë punën e organeve të drejtësisë dhe ekspertë të ekonomisë, konsiderohet si pengesa kryesore dhe si dekurajim për shtrirjen e investimeve të huaja.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se sa i përket funksionimit të sistemit të drejtësisë, Kosova është shumë larg vendeve të rajonit për shkak se ka një gjyqësor i cili ka një numër të madh të lëndëve të pazgjidhura.

Ai shton se gjatë monitorimit që iu bëjnë gjykatave të Kosovës, kanë gjetur raste kur lëndët e investitorëve të huaj nuk janë trajtuar me vite nga gjykatat e Kosovës.

“Edhe përkundër asaj që Ministria e Drejtësisë kishte iniciuar që në kuadër të plotësimit të Ligjit për gjykatat të ketë një departament të veçantë për të trajtuar lëndët që kanë të bëjnë me çështje ekonomike apo që ndërlidhen me investitorët e huaj, në praktikë kjo ende nuk është zbatuar. Në këtë drejtim kjo parqet një pengesë jashtëzakonisht të madhe për investitorët e huaj që të kenë sigurinë juridike për të ardhur të investojnë në Kosovë”, thekson Miftaraj.

Thirrjet që vijnë nga Samiti i Londrës për fuqizimin e rendit dhe ligjit, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Naim Gashi duhet të kuptohen nga institucionet e Kosovës si një tërheqje e vërejtjes dhe se kërkohet fokusim më i madh në përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

“Një nga sektorët që në Kosovë qëndron më se keqi në raportet ndërkombëtare është sundimi i ligjit. Në fakt, Kosova ka shpenzuar pas luftës qindra miliona euro në sektorin e drejtësisë, por qytetarët e Kosovës, bizneset dhe subjektet juridike nuk kanë gjetur drejtësi, edhe te vendimi i fundit për rritjen e pagave për prokurorë dhe gjyqtarët të sektorit të drejtësisë unë mendoj se duhet të matet performanca e tyre, e pastaj të vazhdohet me rritjen e pagave”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pse investimet e huaja vazhdimisht vlerësohen si të domosdoshme për zhvillimin ekonomik, këto investime kanë shënuar rënie përgjatë viteve në Kosovë. Derisa në vitin 2008, investimet e huaja ishin 355 milionë euro, në vitin 2017 investimet e huaja nuk ishin më shumë se 280 milionë euro.

Derisa si sektor më me potencial për investitorë të huaj, Qeveria e Kosovës ka përcaktuar sektorin energjetik, miniera, transport dhe telekomunikacion, industri përpunuese dhe turizëm.

Por, që brishtësia e funksionimit të rendit dhe ligjit, thotë Gashi, ka bërë që investitorët e huaj të dekurajohen dhe të mos e shohin Kosovën si vend ku mund të investojnë kapitalin e tyre.

“Ne jemi dëshmitarë se drejtësia në Kosovë blihet me para dhe ata që kanë shumë para nuk përgjigjen para ligjit. Zakonisht dënohen dhe arrestohen ata për vepra të korrupsionit të 100 euro apo krime të lehta, ndërsa krimet e rënda ose nuk ndjeken, ose amnistohen ose përshkruhen lëndët. Me një fjalë, sistemi i drejtësisë është i brishtë, këtë e thonë edhe raportet ndërkombëtare”.

“Pritjet me vite i kontesteve gjyqësore dhe mostrajtimi i tyre është dekurajimi kryesor i investitorëve të jashtëm në Kosovë. Këtu nuk është në pyetje buxheti, për arsye se gjyqtarët dhe prokurorët këtu në Kosovë i kanë pagat e larta, mirëpo përformanca e tyre është jashtëzakonisht e ulët”, thotë Gashi.

Institucionet e Kosovës, sidomos ato të sundimit të ligjit, janë ndihmuar në dhjetë vjetët e fundit edhe nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX. Por, sipas vlerësimeve të bëra, po nga organizatat joqeveritare, edhe ky mision nuk kishte përmbushur pritjet, sidomos kur bëhet fjalë për rastet e cilësuara të ndjekjes dhe gjykimit të rasteve të nivelit të lartë./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat