KPF në Gjilan miraton raportin e kryetarit për periudhën janar-qershor

Ekonomi

KPF në Gjilan miraton raportin e kryetarit për periudhën janar-qershor

Më: 18 korrik 2018 Në ora: 17:34

Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në takimin e fundit për pjesën e parë të  këtij viti, të cilin e ka udhëhequr Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka miratuar raportin e kryetarit të Komunës për periudhën janar-qershor, raportin financiar për të njëjtën periudhë, strategjinë e veprimit për fëmijë (2018-2021), bashkë me rregulloren për të drejtat e fëmijëve, propozim-vendimin për këmbimin e pronës së paluajtshme komunale me pronën e paluajtshme private të pronarit Reshat Syla në zonën “Gllama”, si dhe propozim-vendimin për caktimin e lokacionit për dy fusha sintetike të futbollit dhe të gjitha këto pika i ka rekomanduar për Kuvend Komunal, bashkë me raportin e auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2017.  
     
Në raportin e tij, kryetari i Komunës Lutfi Haziri, ka paraqitur në detaje të arriturat dhe sukseset e kësaj periudhe në të gjithë sektorët, pa lënë anash as punët që janë në realizim e sipër, duke konstatuar se në Gjilan janë bërë investime të vrullshme, sidomos në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, kanalizime, trotuare dhe të tjera. 

Në raport thuhet se periudha e parë e vitit 2018, ka qenë mjaft dinamike sa i përket realizimit të projekteve dhe zhvillimit të komunës në përgjithësi. 

Opozita ka abstenuar në votimin e raportit, me arsyetim se materialin e kanë marrë me vonesë dhe nuk kanë mundur ta analizojnë sa duhet.

Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, ka thënë se një debat më i gjerë për raportin e kryetarit të Komunës do të zhvillohet në seancën e Kuvendit, përfshirë edhe propozim e këshilltares Mimoza Kadriu, sa i përket normave në arsimin e mesëm, ku, siç ka thënë ajo, një numër i mësimdhënësve rrezikojnë të mbeten pa vend pune.          
  
Sa i përket propozim-vendimit për këmbimin e pronës komunale, me pronën private, Sadudin Berisha, drejtor i Kadastrës, ka sqaruar se këmbimi bëhet në bazë të planit rregullues urban, ndërkohë që te propozim-vendimi për caktimin e lokacioneve për dy fusha sintetike, ndryshimi me vendimin e mëparshëm, i cili duhet të anulohet në Kuvend, ka të bëjë me kërkesën e FFK-së për rritje të sipërfaqes.

Në Livoç të Epërm, ku është caktuar njëri prej lokacioneve, ka mundësi për rritje të sipërfaqes, ndërkaq në Velekincë është dashur të ndryshohet lokacioni, meqë kjo mundësi nuk ka ekzistuar, ka thënë Berisha.             
       
Përndryshe, opozita (LVV e PDK) e ka mirëpritur raportin e auditorit të përgjithshëm për vitin 2017, duke thënë se është një rast i mirë për të parë se sa janë përfillur rekomandimet e mëhershme si dhe për t`i krahasuar vlerësimet e të dyja palëve sa i përket punës së ekzekutivit në Komunën e Gjilanit.

KPF ka vendosur që mbledhja e Kuvendit Komunal, e fundit para pushimeve verore, të mbahet kë 26 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat