Pasojat e migrimit për Kosovën

Ekonomi

Pasojat e migrimit për Kosovën

Dr. Artan Haziri Nga Dr. Artan Haziri Më 5 shtator 2018 Në ora: 14:22
Foto ilustrim

Do i cekim edhe pasojat e migrimit, ku edhe i kemi përkufizuar dy pasoja kryesore:

Në vend të parë janë dëmet imediate e negative të ikjes masive; efektet e të cilave veçse mund të shihen.

Së pari, një largim enorm si ky, domosdoshmërish do të prekë nivelin e kërkesës së brendshme në Kosovë; nëpërmjet prekjes së konsumit e investimeve. Rënia e konsumit në Kosovë do të ketë dy implikime imediate; fillimisht do të bien importet  (meqë konsumi ynë në to bazohet),  kurse më pas do të bien edhe të hyrat buxhetore, si rezultat i rënies së importeve dhe vetë kërkesës. Rënia e konsumit, përveç të tjerash, do të përcillet edhe me rënie të investimeve te një zinxhir i tërë operuesish në Kosovë. Të theksojmë se një blerje, tek kushdo qoftë ajo, nxit një sërë sjelljesh ekonomike të agjentëve të ndryshëm; nga bukëpjekësi te bujku, nga bujku te mësuesi, nga mësuesi te punëdhënësi; të gjithë, pra, preken nga secila lëvizje regresive e konsumit.

Së dyti, do të ketë lëvizje të shpejta  në  tregun e parasë; pra në kreditë bankare. Sërish, kjo për dy arsye. Fillimisht, sepse një pjesë e bankave tanimë veçse ballafaqohen me kredi të këqija, të individëve që kanë marrë kredi të vogla e që kanë ikur – një fenomen i shpërndarë gjithandej, sidomos në ditët e para të eksodit; e më pas, sepse në kohë të paqartësive shoqërore si këto, do të rritet risku i kredidhënies, rrjedhimisht do të rritet çmimi i parasë.

Së treti, do të ketë implikime të menjëhershme  në tregun e banimit e qiradhënies; njërin ndër sektorët më  ekspansiv të Kosovës. Sidomos, do të preken regjionet periferike të qyteteve të mëdha, të cilat do të kenë – në terma margjinalë – shumë më të vështirë përballjen me një fluks të tillë ikësish masivë.

Së katërti, rastet e lëshimeve kolektive të Kosovës, nga individë e punëtorë madje, do të kenë pasoja për bizneset vendorë, të cilët do të duhet tash t’i zëvendësojnë të njëjtët me forcë të re punëtore të paaftësuar, veçanërisht  në sektorët e prodhimit. Kjo, natyrshëm, do të ndikojë në aftësinë konkurruese të tyre, ashtu-kështu të rëndë. Në terma afatgjatë, gjithmonë duke tjetërsuar moralitetin e pranimin e ikjes  masive si normale. Dhe, mbi të gjitha, duke besuar se ikësit që do të akomodohen nëpër Evropë do gjejnë punë e krijojnë vlerë. Andaj, edhe efekti  I  ikjes do të jetë më i lehtë për Kosovën.  Në fakt, në disa raste ai edhe mund të jetë pozitiv (gjithmonë përtej stabilitetit social që pakësimi krijon).

Për të ndodhur një gjë e tillë, natyrisht, largimi do të duhej të ishte selektiv, e jo e tërë familja, siç ishte rasti i një familjeje prej 113 anëtarësh!  Pra, në rastet kur i gjithë nukleusi i familjes ikë, e s’mbetët kush pas, është e pamundur të ndërtohet ndonjë beneficion remitance nga krijimi i gjeneratës së re të diasporës. Por, në  raste të tjera, kjo diasporë e re do të shërbejë për mirëmbajtjen e mbarëvajtjen e një vendi të tërë. Sepse, për aq kohë sa punojnë ata, do të krijohen të ardhura të reja, potenciale të reja  e (në rastin më të mirë) edhe investime të reja. Normalisht, rastet e tilla do të duhej të trajtoheshin, në rend të parë, nëpërmjet programeve ndërqeveritare të punësimit; pra duke dërguar fuqinë tonë punëtore në punë sezonale afatshkurtër.

Sidoqoftë, zbrazja  mbetët  tragjedi. Dhe, në gjithë këtë  tragjedi  arsyetimet  ekonomike e sociale mbesin të zbehta. Por, për të ndalur këtë tragjedi, për të  zëvendësuar eksodin  me punë, vlerë e energji, duhet ta ndryshojmë gjithë paradigmën tonë ekonomike, sociale e politike. Paraprakisht  duhet  të ndryshojmë diçka...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat