Kosova e ka të pamundur të eksportojë mish në tregun e BE-së

Ekonomi

Kosova e ka të pamundur të eksportojë mish në tregun e BE-së

Më: 6 shtator 2018 Në ora: 16:18
Kosova nuk arrin të eksportojë asnjë kilogram të produkteve të mishit në tregun e BE-së, për shkak të mungesës së infrastrukturës së cilësisë.

Ndonëse është pritur që të rritet fluksi tregtar menjëherë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së MSA-së, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në aspekt të eksporteve të Kosovës.

Kjo më së miri dëshmohet me faktin se mbulueshmëria e importeve me eksporte në relacion Kosovë-BE nuk arrin as shifrën 10 përqind.

Madje, Kosova nuk arrin të eksportojë asnjë kilogram të produkteve të mishit në tregun e BE-së, për shkak të mungesës së infrastrukturës së cilësisë.  

Kështu thuhet në studimin e titulluar “Pulsi i Sektorit Privat mbi MSA-në” të  publikuar nga Oda Ekonomike Amerikane.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka realizuar një anketë me 500 biznese në 7 rajone të ndryshme të Kosovës, me qëllim që të analizohet niveli i njohurive të bizneseve vendore mbi MSA-në, si dhe ndikimet që kjo marrëveshje ka pasur deri tani në afarizmin e tyre.

Udhëheqësi i Institutit për Hulumtime Ekonomike në OAK, Visar Hapçiu, duke bërë prezantimin e studimit “Pulsi i Sektorit Privat mbi MSA-në”, tregoi se një fushë ku Kosova duhet të punojë më shumë që ta rrisë potencialin e industrisë vendore për të rritur eksportin në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian është edhe infrastruktura e cilësisë.

Hapçiu: Industria e mishit e ka të pa mundur të jetë në tregun e BE-së

“Dihet që ka sektorë që  e kanë të pamundur të bëjnë eksportin në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, për shkak se mungon infrastruktura e cilësisë, për shkak se nuk ka institucione të akreditura, nuk ka laborator të certifikuar, dhe kështu nuk mundet të ndodhë fare, siç është rasti në industrinë e mishit”, ka thënë Hapçiu.

Ministri i Financave Bedri Hamza, i cili mori pjesë në këtë konferencë ka thënë se Kosova ka deficit të lartë në tregti me mallra, por ka suficit në tregtinë në fushën e shërbimeve.

Hamza: Sa i përket eksportit pritjet kanë qenë më të mëdha

“Sa i përket eksportit pritjet kanë qenë më të mëdha. Ne duhet të punojmë më shumë, besoj që duhet ta shfrytëzojmë këtë të drejtë, këtë avantazh që ne të eksportojmë atje(BE) pa taksa doganore qysh është e paraparë. Mirëpo, përveç se duhet të vazhdojmë, pavarësisht trentit pozitiv, kjo nuk na bënë neve që të jemi vet të kënaqur dhe të stagnojmë në zhvillimin e reformave, port ë vazhdojmë tutje dhe të përmirësojmë kushtet sidomos për ndërmarrjet prodhuese”, ka thënë Hamza.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka , tha se MSA zbatohet nga ana e ndërmarrjeve tregtare, mirëpo kjo rezulton me shifra që kanë bërë rritjen e importit me produkte nga ana e vendeve të BE-së dhe duhet të shfrytëzohet nga prodhuesit e Kosovës për  t’i eksportuar produktet e tyre në tregjet e Bashkimit Evropian.

Ndërsa, ai ka shtuar se rezultatet e këtij studimi kanë treguar që 60 përqind  e bizneseve janë të kënaqura me politikat fiskale që janë zbatuar kohëve të fundit

Zeka: Bizneset në përgjithësi nuk kanë nivel të lartë të kënaqshmërisë

“Ajo çka është pak më shqetësuese, është që në përgjithësi nuk ka nivel të lartë të kënaqshmërisë në performancën e institucioneve qeveritare, përjashto masat fiskale”, ka thënë Zeka.

Më tej në raportin e publikuar sot, thuhet se rreth 10 përqind e të anketuarve e cilësojnë mjedis fiskal në Kosovë si shumë të mirë, përderisa 53 përqind e cilësojnë atë si të mirë.

Kjo nënkupton se rreth 64 përqind e të anketuarve janë të kënaqur me sistemin tatimor në vend, përderisa 30 përqind e cilësojnë atë si jo të mirë dhe 6 përqind si aspak të mirë.

Prilli i vitit 2018 shënoi dyvjetorin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si marrëveshja e pare kontraktuale mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Marrë parasysh faktin se pjesa më e madhe e marrëveshjes adreson marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy palëve dhe çështje të tjera që ndërlidhen me mjedisin afarist.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat