Haradinaj premton grant për komunën më të pastër

Ekonomi

Haradinaj premton grant për komunën më të pastër

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 12:53
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ne nje foto

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Qeverinë gjermane dhe me kryetarë të komunave të Kosovës ka organizuar një tryezë diskutimi rreth zhvillimeve dhe planeve në menaxhimin e mbeturinave.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur shqetësimin në lidhje me cilësinë e mjedisit dhe ka bërë thirrje që të gjithë pa dallim të bashkohen  për të reflektuar dhe për të marrë veprimet e nevojshme për ta ndryshuar gjendjen mjedisore.

Haradinaj tha se përkrah idenë e GIZ-it që komuna e cila tregon sukses në pastrimin dhe ruajtjen e ambientit të shpërblehet me një grant, ide kjo e cila do ta praktikojë edhe Qeveria.

Haradinaj: Grante për komunën më të pastër

“Ideja që komuna që ka treguar sukses të shpërblehet më një grant nga GIZ-i më pëlqen. Kisha pasë dëshirë dhe dëshiroj të them që edhe Qeveria e Kosovës do t’i bashkohet kësaj ideje kaq të qëlluar që me i dhanë një grant asaj komune, ose disa prej atyre komunave që janë veçuar në punën ma të mirë që bëjnë në pastrimin dhe ruajtjen e një ambienti të pastër”, tha Haradinaj.

Kreu i Qeverisë ka thënë se problemi i mjedisit zgjidhet me strategjinë kombëtare të menaxhimit të integruar të mbeturinave. Duke folur për sfidat e Qeverisë për të krijuar një ambient të pastër, kreu i ekzekutivit ka përmendur edhe mundësinë e krijimit të një policie që do të merret ekskluzivisht me trajtimin e shkeljeve të normave ligjore mjedisore.

Haradinaj: Mund të themelojmë polici mjedisore

“'Do të fillojmë edhe me politikat ndëshkuese për ata që hedhin berllog, për ata që nuk respektojnë normat ligjore për ketë. Kemi kërku që të avancojmë edhe deri te policia e gjelbërt” , tha Haradinaj

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit  Famir Matoshi, ka mbështetur deklaratat e kryeministrit  duke thënë se po ndërmerren hapa dhe veprime në lidhje me policinë mjedisore.

Matoshi: Kemi vendosur të ndajmë 1,2 milionë euro për 5 komuna

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vendosur, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, të ndajë një grant shpërblyes në vlerë prej 1.2 milion euro për komunat më të suksesshme, grand ky  i cili do të jetë në shërbim projekteve mjedisore në vitin 2019.  Ditëve në vazhdim do të shpallen edhe kriteret në bazë të të cilave komunat do të mund të jenë përfituese të këtij granti”, tha Matoshi.

Udhëheqësja e Sektorit të Menaxhimit të Mbeturianave në kuadër të GIZ-it, Alexandra Linde, duke shprehur përkrahjen e organizatës që ajo udhëheq në përpjeket e institucioneve kosovare që të krijojnë mjedis të pastër.

Linden: Do të keni mbështetjen tonë

“I kemi mbështetur komunat për të krijuar shërbime themelore të mbeturinave për popullatën, me theks të veçantë për mbeturinat e ngurta.  Do të vazhdojmë me këto përpjekje”, tha Linden .

Në emër të komunave  të Kosovës ka folur kryetari i Prishtinës Shpend Ahmetit, i cili tha se për pushtetin lokal një prej Ministrive më të rëndësishme është ajo e  Mjedisit.

Ai deklaroi se ndihma e nivelit qendror është kruciale për komunat që të mund të menaxhojnë problememt mjedisore  dhe mbeturinat. Ahmeti përmendi problemin e reciklimit të mbeturianave, pasi që nuk është e rëndësishme se kush e kur i mbledh mbeturina por edhe çfarë bëhet me ato mbeturina.

Ahmeti: Shpresoj të mos jenë shqetësime dyditore

“Ka shumë punë për t’u bërë, prandaj edhe ne si komunë nuk kursejmë as buxhet as kohë për këtë punë. Kjo është ndër përpjekjet më të mira që mund t’i bëjmë karshi krejt tjerave. Kemi filluar vitin e kaluar me Ministrinë e Mjedisit të diskutojmë problemin e ndotjes së ajrit, besoj që do të vazhdojmë. Shpresoj këto të mos jenë shqetësime dyditore, treditore. Kur po na del në listë ndotja më e lartë e ajrit, të gjithë po bëhemi ambientalistë për dy-tri ditë e pastaj po vazhdojmë edhe me makina edhe qymyr edhe me krejt”, tha Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat