Projekti i Mirushës që garanton zhvillim ekonomik

Ekonomi

Projekti i Mirushës që garanton zhvillim ekonomik

Më: 9 shtator 2018 Në ora: 12:09
Mirusha

Me idenë që Ujëvarat e Mirushës të shndërrohet në një Plitvicë të Kosovës dhe më gjerë, eksperti i fushës së turizmit, Hysen Sogojeva, ka hartuar një projekt që rregullon në mënyrë të atillë hapësirat brenda dhe jashtë ujëvarave, duke ofruar një zhvillim të qëndrueshëm.

Sogojeva në një intervistë për Kp ka shpalosur disa nga pikat që përmban projekti i tij, sipas të cilit Ujëvarat e Mirushës do të ishin garancë për zhvillimin ekonomik të tri komunave, Klinës, Malishevës dhe Rahovecit.

Madje sipas tij, investimi në Mirushë, do ta bënte këtë të fundit gjenerator të vërtetë të zhvillimit ekonomik për mbarë vendin. Ajo që më së shumti i mungon Mirushës sot, sipas tij, janë hapësirat rekreative.

Ai bën të ditur se projekti në fjalë shumë shpejt do t’i dorëzohet Qeverisë dhe komunave relevante, në mënyrë që të realizohet nëpërmjet kontraktorëve të jashtëm, të brendshëm dhe subvencioneve.

Sogojeva: Projekti është i ndarë në tri zona

“Projekti, i cili do të kishte me qenë avancues për këtë hapësirë, që kishte me qenë shumë atraktiv, është i ndarë në tri zona. Zona e parë është zona strikte, ku e paraqet vetëm këtë hapësirën 2 kilometërshe, e cila i ka 16 liqeje dhe 12 ujëvara. Zona e dytë, zonë që kishte me përfshi zonë në të cilën mund të intervenohen, mirëpo intervenimi në këtë hapësirë kishte me qenë vetëm me dru dhe me gurë dekorativ. Ndërsa zona e tretë që ka hapësirën më të madhe, atje do të kishin me u ndërtu parkingjet, kapacitet hoteliere, restorantet, hotelet me një numër më të madh, sepse numri i shtretërve për këtë hapësirë është i vogël për t’i mbuluar gjithë këta turistë që vijnë këtu”, tha ai.

Prof. Dr. Hysen Sogojeva vëmendje të madhe i kushton ruajtjes së origjinalitetit. Në mënyrë që kjo pasuri natyrore të mos degradohet, ai thotë se natyra e pastër nuk guxon të preket. Derisa hynë ngadalë në projekt, duke treguar detaje të tij.

Sogojeva: Projekti parasheh rregullimin e secilës zonë me përpikëri

“Në kuadër të zonave janë edhe hyrjet. Në qoftë se e marrim zonën e tretë, restorant ‘Ujëvara’ që është atje, unë kam paraparë që ajo pjesa fushore, livadhet, të jenë mini-golfe, që turisti të ketë mundësi, dhe të organizohen edhe lojëra si volejboll dhe futboll, që turistët përveç që vijnë turistët dhe e shijojnë, pse të mos organizohen lojëra me përmasa ndoshta edhe ndërkombëtare në qoftë se i plotësojmë të gjitha kushtet. Kam paraparë edhe stazat e ecjes, të cilat prej ujëvarës kanë me qenë 2.4 metra sepse është njëfarë standardi për to dhe gurët kanë për të qenë natyral dhe gardhet natyrale, të cilët ngjajnë në trashëgimi kulturore më të hershme dhe ka për të qenë prej poshtë deri në pjesën këtu ku jemi ne. Unë kam paraparë edhe amfiteatër veror. Pse të mos organizohen këtu koncerte të ndryshme dhe manifestime sikur ‘DokuFest’. Unë krejt qëllimin e kam që ta shndërrojmë këtë n ë Plitvicë, Plitvica e Kosovës, në mënyrë që të organizohen martesat atje, gjëra të bukura që ia japin hijeshinë”, shtjelloi ai.

Lumi Mirusha në pjesën e fundit të rrjedhës së tij, kalon nëpër një grykë e cila njihet si Kanjoni i lumit Mirusha, duke krijuar 12 ujëvara dhe 16 liqene, që e paraqesin një fenomen të rrallë, hidro-morfologjik dhe peisazh mahnitës për vizitorë.

E me qëllim që turistët të kenë mundësinë të shijojnë prej afër të gjitha bukuritë që ky monument posedon, Sogojeva në kuadër të projektit ka paraparë edhe teleferikët.

Sogojeva: Përmes teleferikëve, turistët mund të shijojnë gjithë bukurinë natyrore të ujëvarave të Mirushës

“Nuk ka në botë në një hapësirë kaq të vogël me i pas këto ujëvara. Dhe bile, bile,  kjo që nuk shihet, (ju po e shihni vetëm pjesën e parë), në liqenin e 10, në liqenin e 11, të 12, liqenin 9, dhe i 10ti që është edhe më i thellë… ”Pjesa e epërme është edhe më atraktive por duhet me iu mundësu që në bazë të këtij projekti, përmes teleferikëve, apo përmes shtigjeve, që turistët me i prekë ato hapësira. Vërtetë ia vlen që me i vizitu por turistët nuk mund t’i shohin të gjitha. Ne i shohim diku rreth liqenin e 16, 15 dhe 14. Më tepër nuk mund t’i shohim”, theksoi ai.

Krejt kjo në pamje të parë duket se mund të kushtojë shumë. Ndërsa konkretisht për këtë flet vet hartuesi i projektit.

Sogojeva: Projekti kushton rreth 30 milionë euro

“Në ato përmasat llogaritare që i kam bë me afate se kur me u kry dhe si me u kry, për me qenë ashtu një Plitvicë e ardhshme e Kosovës, për me u quajt ashtu vërtetë Plitvicë, diku rreth 30 milionë euro do t’i kushtojë, por nuk është shumë sepse mund të gjinden donatorët një pjesë, Qeveria një pjesë dhe subvencionet një pjesë, këto janë ato të cilat do të kishin me mbulu dhe kish me bë që krejt Evropa e ndoshta edhe pjesa aziatike me promovimin që do të ishte bë në të ardhmen, kish me ardhë këtu dhe me pas rezultate shumë të mëdha”, potencoi Sogojeva.

Sipas tij, turizmi nuk ka qenë prioritet i Qeverisë, gjë që tregon se si rezultat nuk është bërë mjaftueshëm as për Mirushën.

Sogojeva: Investimi në Mirushë lidhë gjithë vendin

“Në momentin kur nuk është prioritet i Qeverisë, nuk ka avancime për stimulimin e turizmit si veprimtari mjaft e kërkuar, sidomos kohën e fundit, tregon se edhe qeverisja qendrore edhe ajo lokale nuk janë duke bërë mjaftë për Mirushën sepse nuk e dinë se kjo është një lloj industrie. Në qoftë se do të kishim investuar në Mirushë, kjo është një fabrikë, është një industri. Kjo krejt popullin do ta kishte lidhur nëpërmjet shitjeve, djathit, qumështit, suveniereve. Pastaj, këtu ka 61 lloje endemike që nuk i ka askush në rreth. Prandaj, këtë e bënë të veçantë që shteti, përkatësisht qeveria dhe komunat të investojnë në këtë hapësirë”, tha ai.

Karakteristikë tjetër e Ujëvarave të Mirushës është edhe ngrirja e ujëvarës kur temperat janë të ulëta, gjë që sipas Sogojevës nxit turistët që ta vizitojnë edhe gjatë stinës së dimrit.

Ndryshe, Ujëvarat e Mirushës paraqesin fenomen të rrallë natyror me rëndësi të veçantë natyrore, shkencore, kulturore dhe turistike. Sipas IUCN, zona i përket kategorisë “Peisazh i mbrojtur”, kurse rrjedha e lumit Mirusha, i përket kategorisë “Monument natyror”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat