Roli i faktorit punë në zhvillimin ekonomik

Ekonomi

Roli i faktorit punë në zhvillimin ekonomik

Dr. Artan Haziri Nga Dr. Artan Haziri Më 13 shtator 2018 Në ora: 08:36
Foto ilustrim

Zhvillimi ekonomik është një ndër shtyllat kryesore të mirëqenies së qytetarëve në vend. Nuk mjafton vetëm rritja ekonomike që po pretendohet nga liderët e vendeve të ndryshme nëse mungon efekti i shërbimeve sociale. Nëse shërbimet shëndetësore nuk japin rezultate, niveli i arsimit nuk i përshtatet vendit dhe integrimeve rajonale. Pabarazia është madhe mes shtresave, varfëria dhe papunësia zënë vend, fjalën kryesore e ka korrupsioni, ligji i diskriminon qytetarët, liria e fjalës mbetët në letër etj. Por, të gjitha këto duhet t’i japin formë jetës normale në vend. Nga i gjithë ky kompleks faktorësh, të cilët janë përbërës të zhvillimit ekonomik, ne do ta veçojmë kontributin e faktorit punë në zhvillimin ekonomik, më tutje në zhvillimin e vendit.

Faktori punë ka ndikim të madh si në aspektin mikroekonomik, po ashtu, edhe makroekonomik, ngase në bazë lidhet me faktorët e tjerë të prodhimit. Prandaj, në raport me këta faktorë shndërrohet si variabël i pavarur, p.sh., toka mund të jep rendimente nëse dimë ta shfrytëzojmë, burimet nëntokësore mundë t’i shfrytëzojmë në mënyrë racionale nëse mendojmë për të ardhmen. Po ashtu, kapitalin kur e përdorim me efikasitet jep rezultate të mahnitshme, prandaj nga këndvështrimi i efikasitetit puna është ndikim i vazhdueshëm progresiv.

Se puna është pika referuese e suksesit në vend nuk ka dyshim, por çështja për diskutim mbetët te mënyra e bërjes së punës, motivi për të punuar, shpresa dhe vizioni për të ardhmen, reflektimi i punës. Shpeshherë dëgjojmë zëra të ndryshëm për konceptimin e punës, në instanca të ndryshme njeriu, edhe kur është duke fjetur, organizmi i tij shpenzon energji, ngase është duke funksionuar/punuar. Mirëpo, në ekonomi rezultatin e punës ekonomike do ta veçojmë nga puna jo progresive, ngase mënyra e të punuarit jep efekt në zhvillimin ekonomik.

Nëse analizojmë faktorin punë në raport me rritjen ekonomike, vërejmë se kjo do të ndikojë në zhvillimin ekonomik. Dihet se sasia e prodhimit është funksion i punës, kapitalit, tokës, teknologjisë, aftësive ndërmarrëse etj. Si në afat të shkurtër, po ashtu, edhe në afat të gjatë të politikave qeveritare, puna nuk mbetët konstante. Nëse e marrim shtetin tonë të sapoformuar, faktet historike dëshmojnë se rritja ekonomike e Kosovës ka qenë proporcionale me mundësinë e kosovarëve që të qeverisin vetveten, si dhe me çështjet të cilat janë shumë të ndërlidhura me stabilitetin politik .

Tregues i zhvillimit ekonomik është jetëgjatësia e qytetarëve, ngase sa më gjatë që njerëzit jetojnë aq më shumë shprehin përvojën e tyre, sidomos në aspektin shkencor dhe intelektual. Të dhënat flasin se pas moshës 55 vjeç menaxherët në kompani mund të jenë të suksesshëm si këshilltarë, përderisa pas moshës 65 kompanitë aziatike-lindore nuk heqin dorë nga dituria e menaxherit profesionist, prandaj i njohin si ambasador të llojit të vet, të  cilët i përfaqësojnë kompanitë në tubime të ndryshme të promocionit .

Proceset bazike të zhvillimit ekonomik nisin nëpërmjet programeve të punësimit, të iniciuara nga qeveria, ngase papunësia ndikon në uljen e PBV-së, uljen e buxhetit, rritjen e korrupsionit, nepotizmit, kriminalitetit etj. Dhe, të gjitha këto mund të reflektojnë pozitivisht nëpërmjet punësimit. Papunësia është fenomen dëmtues, pasojat e së cilës reflektohen çdo kund. I papuni është në stres të vazhdueshëm dhe gjasat janë të pritshme për veprime negative. Për shkak të mospërmbushjes së obligimeve familjare dominon pakënaqësia. Bizneset i humbin klientët e tyre, ngase nuk kanë para për treg. Nëse bizneset nuk kanë shitje ato janë të pritura për t’i larguar punëtorët nga puna, shteti i humbë tatimet nga punëtorët dhe firmat, prandaj qeverisë i shtohet një barrë për financimin e të papunëve.      

Duhet të krijohet një qasje e mirëfilltë për kontributin e të punësuarve. Përshtatja e vendit të punës për femra, ngase ekzistojnë shumë punë që janë stresuese për femrat, sidomos për nënat që i kanë fëmijët e tyre larg nga vetja, për këtë duhet të dizajnohet orar i veçantë me kushte të përshtatshme. Profesionistët duhet të punojnë në vende adekuate, duke shprehur aftësinë  e tyre dhe të motivuar. 

Bizneset duhet të stimulohen me një program të veçantë qeveritar. Të dhënat nga ndërmarrësit kosovarë flasin se për të ngritur një biznes prodhues në Maqedoni ofrohet toka falas, e, po ashtu, një politikë fiskale stimuluese me zero për qind tatim për pesë vite, andaj kjo ka tendencë të zhvillimit ekonomik. Infrastruktura ligjore për biznese duhet të jetë joshëse, siguria për investime, konkurrenca fer-play etj.

Zhvillimi ekonomik ndodh nëse kemi harmonizim të zhvillimit të sektorëve ekonomikë, me theks të veçantë në angazhimin e fuqisë punëtore në të gjitha fushat ekonomike, e sidomos ato me prioritet. Në vendet e rajonit përreth vërehet një grumbullim i fuqisë punëtore në mjedise urbane, ku ofrohen kushtet për një standard më të mirë të jetesës. Kurse, viset rurale mbesin pa investime dhe, si rrjedhojë e kësaj gjendje, kemi fenomenin e emigrimit. Kësaj situate i ndihmojnë masat jo shtrënguese fiskale për eksporte, po ashtu, produktet e prodhuara gjenetikisht të modifikuara, e që nuk bartin pasoja vetëm ekonomike, por edhe shëndetësore.

Meqë bujqësia është degë tradicionale dhe parësore për zhvillimin e shumë degëve të tjera, ajo absorbon një numër të madh të punëtorëve. Në këtë sektor prodhohen produkte natyrale që reflektohen në ruajtjen e shëndetit të njerëzve, ku do të shërbejë si preventivë dhe do të zvogëlohen shpenzimet shëndetësore.

Në instancë të fundit mbetët puna ajo e cila do të jep rezultate, se, nëse rritet produktiviteti i punës, kemi rritje më të qëndrueshme të zhvillimit ekonomik. Produktiviteti është aftësia e punëtorit për të dhënë rezultate dhe për t’i shtuar ato, vazhdimisht. Duhet që të hulumtohen avantazhet e punëtorit në punë dhe të kultivohen ato. Punëtorët që e kanë dobësi ndonjë çështje paraqesin element destabilizimi në sistemin e punës, p.sh., për punët e obliguara që do t’i kryejë punëtori vetëm se është pajtuar me kontratë pune. Mirëpo, ndodh që disa aktivitete të kryhen nga grupi në mënyrë vullnetare, e për ndonjë anëtar të grupit krijohet përshtypja se është punë obliguese.

Faktorët që ndikojnë te punëtori janë: faktori monetar (paga) dhe faktorët jo monetarë ( motivi, tradita, siguria në punë, ambienti, menaxhmenti etj). Nëse punëtorët marrin pagën sipas aftësive, arsimimit, përgjegjësisë etj., atëherë ato do të jenë të kënaqur me pagën e tyre. Po ashtu, benifitet janë një element shtytës në punë. Motivi është nxitja e brendshme nga do të rezultojnë sukseset në punë. Punëtorit nëse ia humbë shpresën për të ardhmen, ai e humbë motivin për punë, prandaj një ndërmarrje vepron si një makinë, pa sens kreativ. Edhe tradita ka rëndësi në marrëdhëniet e punës. Po ashtu, edhe siguria e motivon punëtorin. Ambienti dhe rrethi mund t’i sjellë komoditet dhe rahati punëtorit. Menaxhmenti, i cili ofron bashkëpunim me punëtorët, i motivon punëtorët, duke ua bërë me dije se edhe ata janë vendimmarrës në proceset e suksesit.   

Arritja dhe mbajtja e zhvillimit ekonomik kërkon punëtorë, të cilët janë të specializuar në fusha të ndryshme. Punëtorët, të cilët janë të specializuar në punë, japin rezultate më shumë, ngase edhe produktiviteti është më i lartë. Puna më e mirë është ta kapësh një aktivitet dhe sa më shumë ta përvetësosh deri në maksimum.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat