Kosova është e pasur shumë me burime natyrore

Ekonomi

Kosova është e pasur shumë me burime natyrore

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 11:51
Festivali i Gjelbërt

Sot në Prishtinë është hapur edicioni i tretë i Festivalit të Gjelbër ku me këtë rast ushtruesja e detyrës së zëvendësdrejtorit të Misionit të USAID-it, Christina Davies, ka thënë se kjo tregon rëndësinë e energjisë së gjelbër dhe në shtimin e ekonomisë së Kosovës.

Ajo shtoi se duke parë potencialin në Kosovë, ky vend mundet që me ekonominë e gjelbër të ndikojë edhe në shtimin e numrit të të punësuarve.

Davies: Sivjet dy herë më shumë kompani

“Sivjet dy herë më shumë kompani po marrin pjesë dhe kjo është dyfish më shumë shitje dhe storie e suksesit… Duke i parë prodhimet e krijuara në Kosovë mund të ndihmoni progresin ekonomik të Kosovës dhe të krijoni punë për popullin e Kosovës”, ka thënë Davies.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka deklaroi se në bazë të strategjisë për energji e ripërtërishtme dhe energjia efiçiente, Qeveria ka ndarë 80 milionë euro për këtë sektor mjaft të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës.

Lluka: 80 milionë euro kemi ndarë për këtë sektor

“Ne e kemi kaluar sivjet edhe strategjinë për energji, për dhjetë vitet e ardhshme dhe kemi paraparë që rreth 80 milionë euro do të futen në mënyrë të menjëhershme tash në këtë sektor dhe po ashtu jemi duke I bërë disa reforma që ta bëjmë më lehtë marrjen e licencave apo do të jetë më transparente marrja e licencave sa I përket energjisë së ripërtritshme”, theksoi Lluka.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha theksoi se Kosova është e pasur shumë me burime natyrore, dhe dyfishimi i kompanive pjesëmarrëse krahasuar  me vitin e kaluar është një indikator investime në sektorin e ekonomisë së gjelbër, e cila rritë ekonominë dhe rritë numrin e të punësuarve. 

Panxha: Kosova është e pasur shumë me burime natyrore

“Kosova është e pasur shumë me burime natyrore, por Kosova ka edhe sfida të mëdha sa i përket mbrojtjes së ambientit dhe  efikasitetit të energjisë. Kur themi sfida, për biznesin këto duhet të shikohen si mundësi dhe po shohim që dyfishimi I kompanive si pjesëmarrës në këtë panair në krahasim me vitin e kaluar, është një indikator që tregon kompanitë kosovare janë të interesuara të investojnë”, Panxha.

Ky festival organizohet çdo vit për t’i promovuar bizneset e gjelbra të Kosovës dhe për ta ngritur vetëdijen dhe interesimin për riciklim, energji të ripërtëritshme dhe efiçiencës të energjisë. Vitin e kaluar 23 kompani pjesëmarrëse i kanë gjeneruar 1.3 milionë euro në shitje gjatë tri ditëve të kësaj ngjarje, ndërsa këtë vit me 41 biznese kosovare që do t’i prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre në Pavijonin e Gjelbër, pritet që të lidhen më shumë kontrata dhe marrëveshje për eksport.

Deri më sot ky projekt i ka krijuar mbi 3200 vende të reja të punës më mbarë Kosovën, me plane për t’i krijuar gjithsej 5000 vende të reja të punës deri në korrik të vitit 2019. Edicioni i tretë i festivalit të gjelbër do të mbahet nga data 19 deri 21 shtator në sallë e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat