Termokos vazhdon me rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes

Ekonomi

Termokos vazhdon me rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes

Më: 3 tetor 2018 Në ora: 16:17
Termokos

Ndërmarrja Termokosi është duke vazhduar me rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, në mënyrë që të ofrojë ngrohje sa më cilësore për konsumatorët.

Kështu deklaroi sot kryeshefi Ekzekutiv i Termokosit, Naser Canolli, gjatë një takimi me Maria Flachsbarth, sekretare Parlamentare e Shtetit në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, të cilën e njoftoi me të arriturat e kogjenerimit, si projekti më i suksesshëm i bashkëpunimit në mes Qeverisë së Gjermanisë dhe asaj të Kosovës.

Canolli e ka njoftuar mysafiren e lartë nga Gjermania me suksesin e madh të shënuar në saje të realizimit të Projektit të kogjenerimit.

“Ne jemi duke vazhduar me rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, në mënyrë që t’iu ofrojmë ngrohje sa më cilësore dhe të mjaftueshme mbi 13 mijë konsumatorëve tanë”, tha Canolli duke rikujtuar se si rezultat i ngrohjes së ofruar gjatë vlerësimit të kënaqshmërisë së konsumatorëve, mbi 90 për qind e të anketuarve janë shprehur të kënaqur me shërbimet e ofruara.

Ndërsa, Flachsbarth u shpreh e kënaqur që  realizimi i këtij projekti përveç ndikimit ekologjik, ka pasur edhe ndikim ekonomik, gjë që është e rëndësishme dhe parakusht për të siguruar qëndrueshmërinë e një projekti.

Pjesë e delegacionit gjerman gjatë kësaj vizite në Termokos ishin edhe Daniel McCormack nga Ministria për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Lars Beckr, Anja Becky, sekretare e parë në Ambasadën gjermane në Kosovë, René Eschemann, shef i zyrës së KfW-së në Kosovë e Maqedoni.

Vizita e delegacionit gjerman ka vazhduar në kopshtin e fëmijëve “Lulelvere”, i cili është vetëm një nga mbi 13 mijë konsumatorët e Termokosit, që furnizohet me ngrohje shumë cilësore dhe të mjaftueshme përgjatë gjithë sezonit ngrohës.

Ndryshe, Qeveria gjermane është donatori më i madh, që ka kontribuar për realizimin e Projektit të kogjenerimit, për hartimin e Master planit për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, si dhe për vazhdimësinë e mbështetjes për realizimin e fazave të mëtutjeshme të këtij projekti, përkatësisht rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat