Ministri Shala ofron partneritetin e tij për adresimin e sfidave të sektorit privat

Ekonomi

Ministri Shala ofron partneritetin e tij për adresimin e sfidave të sektorit privat

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 13:42
Endrit Shala

Komuniteti i biznesit duhet të përfshihet qysh në fazat e hershme të procesit të hartimit të legjislacionit që ka ndikim në sektor privat, në mënyrë që të sigurohet që legjislacioni është në përputhje me nevojat e industrisë dhe nxit zhvillimin ekonomik në vend.

Ky ishte konkludimi kryesor i tryezës së sotme të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku bizneset patën mundësinë të diskutojnë me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Endrit Shala. 

Ministri Shala sqaroi në pika të shkurta disa nga prioritetet e ministrisë që ndërlidhen drejtpërdrejtë me sektorin privat në vend, duke thënë se rëndësi do t’i kushtohet rregullimit të tregut të naftës, si dhe iniciativave për mbrojtjen e konsumatorit.

Ai paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim do të ketë mundësinë që të adresojë sfidat në marrëdhënieve tregtare me homologun e tij në Republikën e Shqipërisë, në mënyrë që t’i hapet rruga rritjes së tregtisë dhe bashkëpunimit mes dyja vendeve.

Ndërsa, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë,  shprehu gatishmërinë e Odës Amerikane për të dhënë kontributin në të gjitha fushat me ndikim në mjedisin afarist. 

Ilir Ibrahimi, president i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, theksoi rëndësinë e pasjes së një dialogu të mirëfilltë dhe konstruktiv mes sektorit privat dhe atij publik, si e vetmja mënyrë për të garantuar rritjen e sektorit privat në vend.

Ndryshe, në takim bizneset e pranishme patën rastin të diskutojnë me ministrin çështje të ndryshme që ndërlidhen me sektorin privat në vend, duke përfshirë Ligjin për Shoqëritë Tregtare, atë për Mbrojtjen e Konsumatorit si dhe Ligjin për Tregtinë e Brendshme, dhe sfidat në zbatimin e ligjeve në fushën e të drejtës industriale në vend.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat