Mirëpritet raporti i Bankës Botërore për të bërit biznes 2019

Ekonomi

Mirëpritet raporti i Bankës Botërore për të bërit biznes 2019

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 12:44
Bankës Botërore

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mirëpritur raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes për vitin 2019, të publikuar me 31 tetor 2017, ku Kosova vazhdon të ketë progres gradual në përmirësimin e mjedisit afarist dhe rangohet në vendin e dytë në rajon për lehtësinë e të bërit biznes.

Me këtë rast, Qeveria e Kosovës thekson përkushtimin që edhe më tutje të vazhdojë punën në reformat e përgjithshme në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe fuqizim të sektorit privat dhe krijimit të një klime të favorshme për biznese dhe tërheqje të investimeve në vendin tonë.

“Vlerësimi i Kosovës dhe rangimi i saj në këtë raport, tregon se janë identifikuar përmirësime  të konsiderueshme në tri fusha; Sigurimi i Lejeve të Ndërtimit, ku ka pasur progres të konsiderueshëm duke përmirësuar rangimin për 22 vende, për shkak të reformave dhe përmirësimit të procesit të lëshimit të lejeve të ndërtimit dhe procedurave të inspektimit të ndërtimeve; 2. Pagesa e Tatimeve, ku Kosova ka bërë progres në lehtësimin e procedurave për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar; 3. Tregtia Përtej Kufijve, ku është bërë progres në thjeshtësimin e procedurave të kontrollit doganor, mirëpo ky progres nuk është reflektuar në ngritje të madhe në rangim”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

Përkundër që është shënuar një rënie e lehtë në rangim, Republika e Kosovës vazhdon të jetë shteti i dytë në shtetet e Ballkanit Perëndimor me mjedisin më të mirë për të bërit biznes sipas raportit.

Që nga fillimi i procesit të reformave të bazuara në Raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka theksuar rëndësinë e progresit gradual dhe të qëndrueshëm në përmirësimin e mjedisit afarist dhe përdorimin e kësaj metodologjie si platformë për identifikimin dhe implementimin e reformave rrënjësore që përmirësojnë lehtësinë e të bërit biznes në vendin tonë.

Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin për vazhdimin e reformave të nevojshme,  në mënyrë që Kosova të shënojë progres edhe më të madh dhe të konkurrojë me shtetet më efektive në këtë fushë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat