Ministrat premtojnë heqjen e taksës së dyfishtë për bizneset e peshkut

Ekonomi

Ministrat premtojnë heqjen e taksës së dyfishtë për bizneset e peshkut

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 17:47
Pamje nga takimi

Tarifat për taksën e dyfishtë ujore që po paguajnë bizneset e peshkut, po paraqesin sfidë të madhe për bizneset e kësaj veprimtarie, u tha në takimin që kishin përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës me ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka.

Të njoftuar me këtë rast edhe gjatë takimeve të mëparshme ministri Matoshi premtoi se për një kohë të shkurtër do të merret vendim për heqjen e një takse e cila është e paligjshme dhe po i rëndon shumë bizneset.

Në takim ishin prezent edhe pronari i biznesit Trofta Smajl Bytyqi dhe sekretari i shoqatës së prodhuesve të mishit të peshkut Zymber Shabanaj, të cilët shpjeguan në hollësi rastin se si këto biznese paguajnë tarifa shumë të mëdha mujore për HidroDrini, nga i cili uji nuk shfrytëzohet por gypat vetëm kalojnë andej, duke theksuar se mund të jetë logjike të vendoset një taksë për mirëmbajtje në bazë të m2 të gypave për kompanitë, por jo siç janë duke vepruar tani, duke vendos edhe taksë ujore, taksë për të cilën është e caktuar në bazë të ligjit vetëm MMPH.

Matoshi theksoi se është ithtar i faktit se bizneset nuk duhet të ngarkohen me taksa të rënda, e sidomos me të tilla joligjore andaj çështjen do ta ngris edhe në mbledhjen e këshillit ndërministror në mënyrë që të ofrohet një zgjidhje në këtë drejtim.

Ndërsa ministri Lluka theksoi se kjo taksë e dyfishtë është e panevojshme andaj është e rëndësishme që njëra nga to duhet të hiqet dhe për këtë ofroi përkrahje maksimale.

Në këtë takim të pranishëm nga OAK ishin: kryetari i bordit Skënder Krasniqi, koordinatorja Donika Gashi, zyrtarja Qendresa Ibrahimi, pronari i biznesit Trofta Smajl Bytyqi dhe sekretari i shoqatës së prodhuesve të peshkut Zymber Shabanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat