Kritikat e BE-së për taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës në adresë të gabuar

Ekonomi

Kritikat e BE-së për taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës në adresë të gabuar

Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 11:05
Pamje nga konferenca

Në adresë të gabuar u vlerësuan kritikat e Bashkimit Evropian ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e produkteve të prodhuara në Serbi dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kështu u tha nga përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Klubit të Prodhuesve, të cilët njëzëri përkrahën vendimin për vendosjen e taksës prej 10 për qind për dy shtetet.

Komentet u bënë pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes Odës Ekonomike të Kosovës dhe Klubit të Prodhuesve të Kosovës,  për rritje të eksportit dhe fuqizim të zonave ekonomike.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi ka thënë se ky vendim duhet përkrahur edhe nga sektori privat, pasi që ndikon në riorientim ekonomik.

Rukiqi: Vendimin e djeshëm të Qeverisë e përkrahim

“Kam kërkuar ka qenë e lidhur me destrikutivitetin dhe dëmet 30 milionëshe që i shkakton vetëm implementimi i marrëveshjes për energji ku është kërkuar ndoshta një taksë e tillë për me kompensua këtë dëm. Dje Qeveria ka marr një vendim të cilin e kemi përkrahur në kuptim të interesit shtetëror dhe besoj që edhe kompanitë dhe sektori privat do të rreshtohet në këtë drejtim, pasi që ne kemi nevojë të pozicionohemi dhe ta shikojmë mundësinë edhe për riorientim ekonomik besoj në pjesën që lidhet me eksportet me përkrahjen e prodhimit tonë, por normalisht edhe me tregjet tjera”, u shpreh Rukiqi.

Vendimin e Qeverisë e ka mirëpritur edhe drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha. Ai u shpreh se Serbia dhe Bosnja e kanë shkelur marrëveshjen e CEFTA-së në momentin kur kanë shitur në Kosovë produkte nën koston e prodhimit.

Panxha: Vendimi i Qeverisë shton fokusin për përkrahjen e prodhuesve vendor

“Është vendim i duhur, gjithmonë kemi kërkuar në marrëdhënie shtetërore bilaterale me Serbinë dhe Bosnjën të sillemi si shtet. Ne kemi pasur produkte të shpeshta që vijnë nga Bosnja dhe  Serbia të cilat shiten në Kosovë nën kosto të prodhimit, një bllok i Serbisë shitet më lirë se që shitet në Serbi , qumështi nga Bosnja në Kosovë shitet më lirë se sa që shitet në Bosnje kjo është shkelje drastike e marrëveshjes së CEFTA-së, prandaj është vendim i duhur i Qeverisë që ka reaguar ndaj këtyre dy shteteve. Ne shpresojmë që ky vendim të mbetet në fuqi për një periudhë dhe ky do jetë një sinjal edhe për operatorët ekonomik brenda Kosovës që të shikojmë mundësitë që të kemi ri drejtim të ekonomisë sonë, ku fokusi më i madh do jetë në përkrahjen e prodhuesve  vendor si dhe gjetjen e alternativave të reja për furnizim për Kosovën”, ka shtuar ai.

Lidhur me vendimin e Qeverisë ka reaguar zyra e Bashkimit Evropian- zëdhënësja Maja Kocijançiq ka kërkuar tërheqjen e kësaj mase, pasi ky veprim është konsideruar si shkelje e obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s.

Rukiqi i ka komentuar edhe këto kritika të BE-së.

Rukiqi: Brukseli duhet të jetë i barabartë me të gjithë

“Problemet në implementimin e marrëveshjes së CEFTA-së qëndrojnë tek barrierat jo tarifore ne më së paku besoj që kemi minimum ka pasur ankesa, ndërsa nëse i shikojmë tregjet përreth gjithkund jemi ballafaquar me barriera jo tarifore dhe asnjëherë Brukseli në asnjë instancë nuk ka reaguar fuqishëm për cenimin e të drejtës së barabartë për me e shfrytëzuar këtë marrëveshje, pra marrëveshjen e CEFTA-së kështu që në përgjithësi besoj që sjellja e Komisionit Evropian dhe e Brukselit në raport me marrëveshjen ndërkombëtare duhet të ndryshoj, të trajtohen të gjithë dhe të ushtrohet presion mbi ët gjithë dhe jo vetëm në rastet kur ne marrim vendime të caktuara”, ka deklaruar ai.

Kritikat e BE-së ndaj vendimi të Qeverisë, i ka konsideruar si të gabuara edhe Panxha.

Panxha: Brukseli është drejtuar me adresë të gabuar

“Është koha e duhur nuk besoj që ndoshta Brukseli e ka adresën e gabuar në Prishtinë, duhet në Beograd të kërkoj llogaridhënie nga ata se nuk po i respektojnë marrëveshjet e  nën shkruara me Kosovës  sa i përket tregtisë dhe Bashkimi Evropian është themeluar në tri parime lëvizjes e lirë  të qytetarëve të mallrave dhe kapitalit. Kosova në marrëdhënie me Serbinë do të thotë i ka të hapura tri këto shtylla, ndërsa Serbia e bllokon Kosovën në këto tri shtylla”, ka shtuar ai.

Importet e Serbisë në Kosovë arrijnë deri në 600 -700 milionë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat