Punëtorët e “Unitetit” protestojnë për shkak të pagave, tentojnë ta sulmojnë drejtorin

Ekonomi

Punëtorët e “Unitetit” protestojnë për shkak të pagave, tentojnë ta sulmojnë drejtorin

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 15:36
Pamje nga protesta

Rreth 40 punëtorë të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘Uniteti’ në Mitrovicë, kanë protestuar sot për shkak të vonesës së pagave, ndërsa ka pasur edhe tendencë për ta sulmuar fizikisht drejtorin e kësaj Kompanie.

Sahit Peci, vozitës në Kompaninë ‘Uniteti’ në Mitrovicë, ka bërë të ditur për KosovaPress se punëtorët po protestojnë sot për shkak të vonesës së pagave. Sipas tij, ka punëtorë të cilët nuk kanë marr paga 15 muaj, dhe deri sa nuk merren pagat, punëtorët nuk do të punojnë.

 “Pagat që na i kanë borxh me na i dhënë dhe asgjë tjetër. Dikujt i kanë mbetur borxh 15 paga, dikujt 6, 5 etj. Me datën 5 nëntor është dashur me imarr pagat. Ne jemi në grevë dhe deri sa të dalin pagat nuk punojmë”, ka thënë Peci.

Ndërkaq, Ganimet Murseli, punëtor në ‘Unitet’, tha se këtu është një klan i organizuar të cilët po bëjnë presion ndaj drejtorit të tashëm, me qëllim të kthimit të ish drejtorit në pozitën e mëparshme. Duke përmendur se problemet në Kompani janë grumbulluar prej kohësh, ai sqaroi se vërtetë ka punëtorë që nuk ka marr pagë këtu që 13 muaj.

“Problemet këtu janë grumbulluar prej kohësh. Ka punëtor që është brenda 13 rroga, por ish drejtori ju ka dhënë akontacione. Unë bie fjala, kam rroga brenda dhe s’kam marr akontacion asnjëherë. Këtu është një klan i organizuar që po duan të faktorizohen dhe po duan ta kthejnë drejtorin e mëparshëm, sepse e kanë pasur si në bahçe të babës. Ata po i bëjnë presion drejtorit të ri, vetëm sa për ta kthyer sërish ish drejtorin në pozitën e mëparshme”, theksoi Murseli.

Në anën tjetër, Gazmend Morina, drejtor i Kompanisë ‘Uniteti’, i cili ka marr detyrën para një jave, protestën e ka quajtur të inskenuar nga disa persona, si dhe të kundërligjshme.

Ai ka akuzuar ish drejtorin, Skender Tahiraj, për organizimin e kësaj proteste, me qëllim të rikthimit të tij në vendin e mëparshëm të punës.

Sipas drejtorit Morina, Tahiraj ka bërë keqpërdorim prej qindra eurosh në shfrytëzimin e naftës edhe pas skadimit të kontratës së tij, dhe për këtë e ka denoncuar në polici.

Ai shtoi se pikërisht për shkak të kësaj, ish drejtori në shenjë revolte dhe hakmarrje së bashku me disa punëtorë të cilët i kishte punësuar vetë, e kanë organizuar protestën e sotme.

Morina potencoi se nga gjithsej 247 punëtorë të kësaj Kompanie me tre njësitet Mitrovicë, Vushtrri dhe Skenderaj, vetëm disa dhjetëra kanë protestuar, të tjerët janë duke vazhduar punën normalisht. Ai tha se ka pasur edhe tentim sulmi ndaj tij, por fal reagimit të shpejtë nga ana e sigurimit, si dhe disa punëtorëve tjerë, është evituar më e keqja.

“Sot ka pasur një protestë të inskenuar prej disa punëtorëve të pakënaqur të cilët me ardhjen time para një jave, u janë ndalur keqpërdorimet që kam arritur t’i identifikoj. Këtë protestë e ka organizuar ish kryeshefi ekzekutiv Skender Tahiraj, me qëllim të rikthimit të tij në vendin e punës, edhe pse kontrata e tij e punës ka skaduar në muajin shtator. Unë dje kam denoncuar rastin në polici për shkak se Skender Tahiraj ka bërë keqpërdorim në shfrytëzimin e naftës edhe pas skadimit të kontratës së tij në pompën e benzinës ku ne furnizohemi. Ai ka bërë do të thotë shpenzime në shfrytëzimin e naftës prej qindra eurosh, duke mos qenë punëtor i Unitetit, kështu që në shenjë revolte dhe hakmarrje ndaj meje, ai me disa punëtorë të cilët i ka punësuar në këtë Kompani, ka organizuar ose inskenuar një protestë për shkak të një vonese 13 ditore të pagave. Këtu historikisht pagat janë vonuar me muaj dhe s’ka pas ur protestë asnjëherë, as sulme qysh ka ndodhur sot në zyrën e drejtorit. Mirëpo, kjo është bërë nga njerëz të caktuar dhe me qëllime të caktuara për me kthy në Kompani në mënyrë të kundërligjshme ish drejtorin. Po, punëtori me emrin Valmir ka tentuar të më sulmojë. Ai dhunshëm dhe me një shufër hekuri është futur në korridor dhe ka arritur vetëm ta godas derën time e cila ka qenë mbyllur, ndërsa sigurimi dhe disa punëtorë tjerë kanë reaguar duke e izoluar dhe larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë për KosovaPress Morina.

 I kontaktuar nga KosovaPress, ish drejtori i ‘Uniteti’-t, Skender Tahiraj, ka mohuar kategorikisht të ketë dorë në protestën e sotme. Ai tha se edhe gjatë mandatit të tij ka pasur dhjetëra raste kur punëtorët kanë protestuar pikërisht për shkak të pagave, ndërsa mohoi po ashtu keqpërdorimin me furnizim të derivateve.

“Absolutisht është e pavërtetë se unë kam organizuar ndonjë protestë. Edhe deri sa unë kam qenë drejtor, ka pasur dhjetëra protesta të tilla pikërisht për shkak të pagave. Edhe pse s’jam kryeshef, unë jam pjesë e stafit të punës në Unitet. Mund të jetë bërë ndonjë gabim ose ngjajshëm, por nuk ka ndodhur që unë të marr derivate”, theksoi Tahiraj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat