Buxheti për MMPS-në do të jetë 465 milionë euro

Ekonomi

Buxheti për MMPS-në do të jetë 465 milionë euro

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 12:16
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka raportuar para deputetëve anëtarë të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Ministri nga deputetët është pyetur për vonesat në skemën pensionale, procesin e verifikimit të dhunës seksuale, numrin e veteranëve dhe shumë pyetje tjera.

Duke u përgjigjur në këto pyetje Reçica tha se buxheti i Ministrisë së Punës  është i ndarë në dy rrafshe, dhe që sipas tij buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 465 milionë euro.

" Për pensionet bazë janë shtuar 20 milionë euro, pensionet e Trepçës janë rritur për 1 milionë euro, 10 milionë euro janë shtuar për pensionet kontributdhënës, pensioni familjar është shtuar për 3.3 milionë euro. Asistenca sociale është zvogëluar për 1, 3 milionë euro, te pensionet e veteranëve është rritur buxheti për 1,8 milionë euro", tha Reçica.

Sa i përket procesit të verifikimit të viktimave të  dhunës seksuale, Reçica tha se ka shumë raste në rishqyrtim, por që si proces është shumë i gjatë. Reçica ka prezantuar edhe reformën për sistemin pensional.

" Fatkeqësisht kemi skema të pensioneve të krijuara ‘ad –hock’, ajo që është evidentuar është që Kosova nuk ka arritur të konsolidojë një skemë të sigurimeve sociale. Ka mungesë të një ligji bazik, ka mos harmonizim të skemave, ka pamjaftueshmëri financiare, ka një strukturë të vjetërsuar, kjo ka bërë që të vijmë deri tek reformimi i sistemit pensional", tha Reçica.

Deputetja Fatmire Kollqaku, u shpreh se ndalja e ndihmave sociale për familjet, fëmijët e të cilëve kalojnë  moshën 5 vjeçare është diskriminim për fëmijët. Madje ka shtuar se reformimi i sistemit pensional është shumë urgjent.

 "Duhet të rregullohet edhe çështja e kontratave të punës, po e shohim sa vdekjet po ndodhin në vendet e punës, të njëjtit nuk figurojnë askund. Punëdhënësit po fitojnë në kurriz të punëtorëve, përkushtimi më i madh i inspektorëve duhet të jetë që të shkojnë jo kur ndodh rasti, por duke tentuar të parandalojnë këto raste", tha Kollqaku.

Në lidhje me këtë Reçica tha se kontratat kolektive duhet të jenë diçka përtej ligjit, dhe se si e tillë do të jetë e miratuar në muajin nëntor.

Flora Brovina nga Partia Demokratike e Kosovës, e ka vlerësuar Ministrinë e Punës me shumë probleme. Tutje, ministri Reçica tha se në Kosovë janë 95 mijë punëkërkues, e në anën tjetër kompanitë kërkojnë punëtor profesionist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat