Mijëra qytetarë në rrugë me mesazh për mikun e Putinit: Zhduku!

Evropë

Mijëra qytetarë në rrugë me mesazh për mikun e Putinit: Zhduku!

Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 20:17
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia bjelloruse ka arrestuar më shumë se 300 pjesëmarrës në demonstrata masive që kërkojnë dorëheqjen e mikut të Vladimir Putinit, presidentit Alexandar Lukashenko.

Mijëra protestues dolën përsëri në rrugë, duke u mbledhur në grupe të vogla nëpër Minsk, një taktikë e re nga kundërshtarët e qeverisë që duan ta bëjnë punën e policisë më të vështirë, raporton Associated Press.

Policia e Minskut tha se kishin arrestuar më shumë se 300 persona, ndërsa grupi i të drejtave të njeriut Vesna publikoi emrat e 189 personave të ndaluar në Minsk dhe qytete të tjera të mëdha.

Protestuesit mbanin parulla, ku mes të tjerash shkruhej: "Jepi një dhuratë bjellorusëve: Zhduku", e cila iu drejtua Lukashenkos. Ata bërtisnin "Ne besojmë! Ne mundemi! Ne do të fitojmë!"

Të paktën katër gazetarë u arrestuan sot në Minsk dhe qytetin Grodno, deklaroi Shoqata Bjelloruse e Gazetarëve.

Policia në Minsk po patrullonte rrugëve me automjete të pa shenja sot për të dalluar protestuesit, raporton AFP.

Përpara protestave në Minsk, policia ngriti topat e ujit në qendër të qytetit këtë mëngjes dhe bllokoi hyrjen në sheshet kryesore, stacionet e metrosë dhe institucionet shtetërore. Hyrja në internet me telefona mobilë është e kufizuar në të gjithë vendin.

Kreu i opozitës Svetlana Tikhanovskaya, e cila u strehua në Lituani menjëherë pas zgjedhjeve për të shmangur arrestimin, tha se çdo protestë ishte "një kujtesë që bjellorusët nuk do të dorëzohen".

"Ne nuk do të lejojmë shkeljen e të drejtave tona ose të mbyllim sytë para krimeve," tha Tikhanovskaya, e cila u bë rivalja kryesore e Lukashenkos në zgjedhjet presidenciale pas arrestimit të figurave të tjera të shquara të opozitës.

Bjellorusia është goditur nga një krizë politike që nga zgjedhjet presidenciale më 9 gusht, kur filluan protestat masive antiqeveritare në të gjithë vendin, iniciuar nga rezultatet zyrtare të votimit, sipas të cilave Lukashenko fitoi më shumë se 80 për qind të votave. Kundërshtarët e Lukashenkos pretendojnë se zgjedhjet ishin vjedhur.

Me gjithë përpjekjet e autoriteteve për të shuar demonstratat duke arrestuar dhe shtypur demonstruesit dhe aktivistët, protestat masive nuk u shuan as pas më shumë se tre muaj e gjysmë. Protestat më masive ndodhin të dielën, kur dhjetëra- mijëra demonstrues dalin në rrugë. Një javë kishte edhe 200,000 njerëz.

Që nga fillimi i demonstratave në gusht, të paktën katër persona kanë vdekur ose në protestë ose pas arrestimit. Më shumë se 20,000 protestues u arrestuan, nga të cilët, sipas grupeve të të drejtave të njeriut, mijëra u rrahën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat