“Pacientët duhet të na njohin si jemi jashtë punës”, mjekët italianë stampojnë fotot e tyre mbi uniformat e punës

Evropë

“Pacientët duhet të na njohin si jemi jashtë punës”, mjekët italianë stampojnë fotot e tyre mbi uniformat e punës

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 21:27
Mjekët italianë

Marrëdhënia njerëzore staf spitalor-pacient është vështirësuar mjaft në muajt e pandemisë. Në një spital të Italisë, mjekët dhe infermierët po printojnë në trup foton e tyre, për t’i çliruar disi të sëmurët nga aspekti psikologjik i maskave dhe i kostumeve mbrojtëse.

Doktorët dhe infermierët e spitalit të Pratos në Itali kanë tetë muaj që u shërbejnë pacientëve të sëmurë me koronavirus.

Shërbimi në repartin e kujdesit intensiv detyron ata që të veshin kostume mbrojtëse për arsye të Covid-19, por ato e bëjnë më të ftohtë ndërveprimin me të sëmurët.

Këtë largësi, personeli po tenton ta ngushtojë duke printuar fytyrën e tyre mbi veshjen mbrojtëse, herë me poza serioze, e herë më gazmore, për t’u ngritur moralin e për t’u dhënë siguri atyre më në nevojë.

“Personat duan të shohin se si ngjajmë jashtë punës. Është edhe një mënyrë për të na dalluar nga njëri-tjetri, për të na personifikuar, që edhe pacientët të shohin një fytyrë të cilën e njohin.”

“Për shkak të humbjes së aspektit njerëzor në përditshmërinë e repartit intensiv, e rënduar kjo tani edhe prej Covidit, marrëdhënia me pacientët është vështirësuar shumë. Ndonëse duket e thjeshtë në pamje të parë, ideja ka ndikuar thellë në përmirësimin e kësaj marrëdhënieje.”

Italia raportoi të enjten mbi 680 viktima të reja si pasojë e sëmundjes infektive, ndërsa rastet e diagnostikuara rishtas brenda ditës u rritën me 18 mijë.

Vendi ishte nga të parët në Europë që u godit më rëndë, por sfidat për stafin spitalor nuk duket se janë lehtësuar edhe pas eksperiencës së valës së parë goditëse.

“Këtë radhë, jemi të lodhur ndryshe, sepse jemi më të përgatitur, por ngarkesa për t’u ardhur në ndihmë pacientëve është jashtëzakonisht e madhe. Njerëzit mendojnë se për një pacient në kujdes intensiv duhet dy infermiere, por ndonjëherë nevojiten katër, dhe kur ata duhen manovruar, edhe pesë infermiere për një pacient.”

Nga mbi 1,6 milionë viktima që raportohen në gjithë botën si pasojë e Covid-19, rreth 80 mijë prej tyre kanë qenë në vijën e parë të betejës apo staf spitalor.

Vetë Italia ka humbur një total prej 67 mijë qytetarësh në muajt e fundit dhe mjekët infeksionistë druhen se po afron vala e tretë epidemike si rezultat i familjeve që bëhen bashkë me rastin e Krishtlindjeve por edhe për arsye të viruseve stinore të gripit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat