Franca heton organizatorët e një feste të fshehtë me mbi 2,500 pjesëmarrës

Evropë

Franca heton organizatorët e një feste të fshehtë me mbi 2,500 pjesëmarrës

Më: 2 janar 2021 Në ora: 21:36
Francë

Ministri i brendshëm i Francës njoftoi të shtunën një hetim penal për të identifikuar dhe dënuar organizatorët e një feste të fshehtë të Vitit të Ri me të paktën 2,500 pjesmarrës, pavarësisht orës policore mes masave të rrepta kundër pandemisë.

Gerald Darmanin shkroi në Twitter se veprimet e policisë në komunën Lieuron në Brittany, “i dhanë fund pa dhunë një feste të paligjshme” mëngjesin e së shtunës, rreth 36 orë pasi kishte filluar.

Ai tha se mbi 1,200 njerëz ishin gjobitur për mosrespektim të orës policore, mosmbajtje maske si dhe pjesëmarrje të paligjshme në tubim. Pajisjet e fonisë dhe gjeneratorët elektrikë u konfiskuan, tha ai.

Pjesëmarrësit nga Franca dhe jashtë saj ishin mbledhur në një hangar në komunën Lieuron mbrëmjen e së enjtes për të festuar Vitin e Ri.

Zyrtarët thanë se ata sulmuan policinë natën e parë, duke djegur një makinë policie dhe lënduar punonjës të rendit me shishe dhe gurë. Festa u zhvillua pavarësisht orës policore mbarëkombëtare në Francë, që kishte për qëllim dekurajimin e njerëzve që të mblidheshin mes pandemisë.

Megjithatë, pjesëmarrësit e festës bënë thirrje për mirëkuptim pas muajsh mbylljeje shkatërruese për jetën e natës dhe orëve policore që synojnë kufizimin e përhapjes së infeksioneve.

Një vullnetar me një grup ndihme që shpërndanin maska, dhe dezinfektant kundër virusit si dhe jepnin këshilla shëndetësore brenda festës, tha se pjesmarrësit duhet të liheshin të lirë.

Grupi i tyre, Techno+, po i këshilltonte pjesmarrësit në festë që të vetëizoloheshin për një javë dhe pastaj të testoheshin. Franca ka njoftuar më shumë se 64 mijë vdekje të lidhura me virusin./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat