Johnson, i shqetësuar për lëshimet e BBC-së në intervistën me Dianan

Evropë

Johnson, i shqetësuar për lëshimet e BBC-së në intervistën me Dianan

Më: 21 maj 2021 Në ora: 23:46
BBC-ja është sqaruar se ka bërë ndryshime rrënjësore në udhëheqje që prej viteve ’90

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, ka bërë thirrje që transmetuesi publik, BBC-ja, të marrë çdo hap të mundshëm, për t’u siguruar se lëshimet për intervistimin e princeshës së Uellsit, Dianas, të mos përsëriten më.

Kryeministri britanik të premten ka thënë se është shumë i shqetësuar me raportin e hetimeve se Martin Bashir kishte falsifikuar dokumentet për të siguruar intervistën me princeshën Diana gjatë vitit 1995.

Duka i Cambridget, princi William, ka thënë se hilja që bëri BBC-ja i krijoi nënës së tij paranoja dhe përkeqësoi marrëdhënien e prindërve të tij.

BBC-ja është sqaruar se ka bërë ndryshime rrënjësore në udhëheqje që prej viteve ’90.

Johnsoni është shprehur mirënjohës ndaj gjykatësit të pensionuar Lord Dyson që kreu hetimin në të cilin u zbulua se BBC-ja mbuloi sjelljen e pahijshme të Bashirit për të siguruar intervistën e shumëpërfolur.

“Nuk mund të imagjinoj ndjenjat e familjes mbretërore dhe shpresoj se BBC-ja do të marrë hapat e nevojshëm që një gjë e tillë të mos përsëritet”, ka thënë kryeministri Johnson.

Gjykatësi Dyson të enjten ka konstatuar se BBC-ja “nuk ka qenë në gjendje që t’i arrijë standardet e larta të integritetit dhe transparencës, të cilat janë shenjë e saj dalluese” gjatë intervistës famshme të gazetarit Martin Bashir me princeshën e Uellsit, Diana, më shumë se 20 vjet më parë.

Gazetari i kishte falsifikuar dokumentet për ta siguruar intervistën dhe më vonë i kishte gënjyer menaxherët e BBC-së lidhur me to, ka treguar hetimi. BBC-ja ka bërë të ditur se raporti i shpërfaq “dështimet e qarta”, ndërsa ka kërkuar falje lidhur me këtë.

Bashir ka kërkuar falje për çështjen e dokumenteve, por ka shtuar se ato nuk kanë pasur ndonjë ndikim në vendimin e princeshës së ndjerë për t’u intervistuar.

Intervista për emisionin “Panorama” ishte një e arritur e madhe për BBC-në, pasi që gjatë saj, princesha Diana kishte deklaruar famshëm: “Ne martesën tonë jemi tre veta”. Kjo ishte hera e parë që një anëtar i familjes mbretërore fliste haptas për rrethanat e brendshme në Pallat.

Këtë deklarim të sajin shikuesit e kishin interpretuar si dëshmi se ajo nuk ishte e lumtur me martesën e saj me princin Charles, marrëdhënien e tyre dhe me lidhjen jashtëmartesore të princit.

Por që atëherë, vëllai i Dianas, Earl Spencer, ka vënë në pikëpyetje taktikat e përdorura nga gazetari për ta siguruar intervistën. Hetimi i pavarur lidhur me rastin është iniciuar nga BBC-ja vitin e shkuar, pasi që Earl Spencer publikisht ngriti dyshimet për hilen e gazetarit që të siguronte intervistën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat