Putin mban konferencën e përvitshme me qytetarë

Evropë

Putin mban konferencën e përvitshme me qytetarë

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 08:19
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mban sot një konferencë të përvitshme, gjatë së cilës u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve rusë.

E njohur zyrtarisht si “Linja Direkte”, konferenca zhvillohet në kohën kur kanë mbetur më pak se 11 javë deri te zgjedhjet parlamentare.

Këto do të jenë votimet e fundit të mëdha përpara se të përfundojë mandati aktual i Putinit, në vitin 2024.

Megjithatë, ndryshimet kushtetuese, të hartuara nga Kremlini, i kanë hapur derë Putinit për të mbetur president deri në vitin 2036.

Putin, lideri me përvojën më të gjatë në Rusi që nga koha e Josef Stalinit, nuk ka treguar nëse dëshiron të mbetet në pushtet.

Në vitet e kaluara, Kremlini e ka shfrytëzuar konferencën disaorëshe për ta shfaqur Putinin si një udhëheqës të përgjegjshëm, i cili lartëson sukseset e kaluara dhe aktuale të Rusisë, por u kushton vëmendje edhe çështjeve lokale, si deponive të plehrave apo rrogave të papaguara.

Konferenca zakonisht përmban thirrje me sa duket të rusëve të zakonshëm, plus mesazhe të dërguara përmes mediave sociale.

Vitin e kaluar, Kremlini e ka anuluar ngjarjen, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Edhe këtë vit, Rusia është duke u përballur me një valë të re të infeksioneve, të cilat kanë detyruar rivendosjen e kufizimeve në jetën publike.

Situata bie ndesh me suksesin e Rusisë vitin e kaluar, kur ka njoftuar se ka miratuar vaksinën e parë në botë kundër koronavirusit. Dy vaksina të tjera ruse janë miratuar më vonë.

Por, pavarësisht kësaj, Rusia ka një nga normat më të dobëta të vaksinimit në botë - shumë njerëz nuk i besojnë vaksinës ruse, ose Qeverisë së vendit të tyre në përgjithësi.

Një ditë më herët, autoritetet shëndetësore ruse kanë raportuar gati 21,000 raste të reja të të infektuarve me koronavirus dhe rekord të viktimave brenda një dite: 652.

Kremlini ka pranuar se qëllimi kombëtar për vaksinimin e 60 për qind të popullsisë mund të mos përmbushet.

Vetë Putin është vaksinuar, por Kremlini ka refuzuar të lëshojë ndonjë detaj rreth vaksinës që ka marrë.

Ai po ashtu nuk ka pranuar të dalë para kamerave duke u vaksinuar - një veprim ky që thuhet se ka dëmtuar besimin në vaksinim.

Nëse Putin do t’u përgjigjet pyetjeve për trajtimin e pandemisë, mbetet për t’u parë.

Disa epidemiologë kanë paralajmëruar se, bazuar në trajektoren aktuale të rasteve me koronavirus, Rusia do të shohë kulmin në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit - periudhë kjo që u paraprin zgjedhjeve të 19 shtatorit.

Kjo mund të jetë problematike për Rusinë e Bashkuar - partinë e Putinit - e cila shpreson të ruajë dominimin e saj në Dhomën e Ulët të Parlamentit, e cila ka 450 vende.

Aktualisht, disa sondazhe të opinionit i japin Rusisë së Bashkuar vlerësimet më të dobëta.

Në Kongresin e partisë që është mbajtur këtë muaj, Putin, i cili zyrtarisht nuk është anëtar i partisë, ka sinjalizuar se Qeveria e tij do të bëjë disa shpenzime publike të profilit të lartë në infrastrukturë.

“Mirëqenia e njerëzve ka vlerën më të lartë”, ka thënë ai.

Vlerësimi për Putinin është ende i lartë, por ka pësuar goditje viteve të fundit, për shkak të, siç thuhet, reformave të diskutueshme të pensioneve, ngecjes së pagave, rënies së standardeve të jetesës dhe korrupsionit të vazhdueshëm në nivel të lartë.

Putin ka ndërmarrë hapa për të shtypur edhe opozitën, duke përfshirë arrestimin e udhëheqësit opozitar, Aleksei Navalny.

Putin është tani në vitin e 22-të në pushtet./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat