KE mohon raportimet e Reuters për vendet skeptike

Evropë

KE mohon raportimet e Reuters për vendet skeptike

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 00:14
Foto ilustrim

Bashkimi Europian hodhi poshtë raportimet e agjencisë Reuters se disa vende skeptike me procesin e zgjerimit nuk duan të japin garanci për anëtarësimin e sigurt në të ardhmen të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok.

Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Europian, i tha Zërit të Amerikës se “e ardhmja e të gjithë Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian”. Të martën, agjencia Reuters, duke cituar katër diplomatë të paidentifikuar, raportoi se Holanda, Franca dhe Danimarka nuk kanë ranë dakord për dhënien e garancive për anëtarësimin e ardhshëm në Bashkimin Europian të gjashtë vendeve, premtuar 18 vjet më parë në Samitin e Selanikut.

Pisonero tha se “Komisioni Europian është i vendosur fort për të përmirësuar procesin e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore“.

“Të dy vendet kanë përmbushur detyrimet e tyre, dhe ne mbështesim plotësisht fillimin zyrtar të negociatave të pranimit deri në fund të vitit, siç tha Presidentja e Komisionit Ursula von der Layen gjatë vizitës së saj në rajon. E ardhmja e të gjithë Ballkanit Perëndimor është në BE.”

Pisonero shtoi se samiti i ardhshëm në Slloveni më 6 Tetor BE – Ballkani Perëndimor do të jetë një mundësi e mirë për të konfirmuar perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor me hapa praktikë drejt integrimit të mëtejshëm dhe për të filluar zbatimin e planit ekonomik dhe të investimeve për rajonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat