Policia gjermane: Mbi pesë mijë emigrantë mbërritën nga Bjellorusia gjatë tetorit

Evropë

Policia gjermane: Mbi pesë mijë emigrantë mbërritën nga Bjellorusia gjatë tetorit

Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 21:17
Foto ilustrim

Policia gjermane ka deklaruar se janë bërë mbi pesë mijë kalime të paautorizuara kufitare muajin e kaluar nga njerëz që kishin ardhur nga Bjellorusia.

Ky numër shënon një rritje të ndjeshme të numrit të të ardhurve përmes një rruge të re migracioni të ndjeshme politikisht, shkruan Euronews.

“Policia Federale regjistroi 5,285 hyrje të paautorizuara me lidhje me Bjellorusinë vetëm për muajin tetor”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet gjermane kishin regjistruar vetëm 1,903 mbërritje në shtator.

Policia tha se vetëm fundjavën e kaluar, 597 persona që hynë ilegalisht nga Bjellorusia u gjetën në anën gjermane të kufirit me Poloninë.

Prej tyre 391 ishin shtetas irakianë, ndërsa pjesa tjetër ishin nga Siria, Irani dhe Afganistani, dhe shumica kishin viza bjelloruse ose vula hyrjeje në pasaportat e tyre.

Polonia dhe Lituania, kanë luftuar për të përballuar një numër jashtëzakonisht të lartë të emigrantëve që mbërrijnë në kufijtë e tyre me Bjellorusinë muajt e fundit.

BE-ja ka akuzuar qeverinë e presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko për përdorimin e qëllimshëm të emigrantëve për të destabilizuar bllokun 27-vendesh si hakmarrje për sanksionet e BE-së.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë në largim propozoi së fundmi futjen e patrullave të përbashkëta gjermano-polake në kufirin e dy vendeve për të ndihmuar në ndalimin e kalimeve të paligjshme nga emigrantët që mbërrijnë nga Bjellorusia.

Megjithatë, Berlini ka deklaruar se nuk kanë ndërmend të mbyllin kufirin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat