Luftë dramatike në ajër, Rusia edhe në orët e vona vazhdon me sulmin në Ukrainë

Evropë

Luftë dramatike në ajër, Rusia edhe në orët e vona vazhdon me sulmin në Ukrainë

Nga: Bota sot Më: 1 mars 2022 Në ora: 19:44
Shpërthimi në kullën televizive në Kiev më 1 mars.

(E plotësuar 00:58) - Ukraina: Raketat dëmtuan objektiva civile

Një sulm ajror në qytetin Zhitomir të Ukrainës u raportua në orët e para të së mërkurës.

Sipas mediave në Ukrainë, raketat ruse dëmtuan objektiva të shumta civile, duke përfshirë ndërtesa banimi dhe një spital.

Këshilltari i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Anton Herashchenko, tha se së paku katër persona janë vrarë.

Zhitomir ndodhet rreth 140 kilometra në perëndim të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.

Herashchenko tha se ka pasur edhe një tjetër sulm ajror në Harkiv.

Pretendimet e tij nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Rel: Rusia merr “mbështetje të fuqishme” nga Venezuela

Në një shprehje të rrallë të mbështetjes për Rusinë, pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, e siguroi presidentin rus, Vladimir Putin, për mbështetjen e tij “të fuqishme”.

Dy udhëheqësit biseduan përmes telefonit, me iniciativën e Karakasit.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Kremlini, Maduro i dënoi edhe, siç thuhet, “veprimet destabilizuese të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s”.

Qindra njerëz janë vrarë në Ukrainë dhe së paku gjysmë milioni janë zhvendosur qëkur Rusia ka nisur pushtimin, më 24 shkurt.

Putin ka urdhëruar sulmet, pasi nuk ka marrë garanci se NATO-ja nuk do të zgjerojë aleancën e saj ushtarake drejt lindjes.

Pas telefonatës, Maduro publikoi një mesazh në Twitter me një fotografi të tij dhe Putinit. Ai po ashtu tha se i ka thënë udhëheqësit rus se Venezuela është “në favor të mirëkuptimit dhe dialogut, si mënyrë për të ruajtur paqen”.

Venezuela, së bashku me Kubën dhe Nikaraguan, janë aleate të Moskës nga Amerika Latine.

Shtetet e Bashkuara dhe dhjetëra vende të tjera nuk e njohin rizgjedhjen e Maduros president në vitin 2018.

BE përgatitet për miliona refugjatë nga Ukraina

Bashkimi Evropian po përgatitet për miliona refugjatë nga lufta në Ukrainë, tha të martën komisionarja e BE-së për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson.

Johansson tha se është vështirë të thuhet me saktësi se sa refugjatë do të kalojnë kufijtë e BE-së, pasi mbi 400,000 tashmë kanë kaluar.

Shumë prej tyre përballen me pritje të gjata në kalimet në Poloni, Hungari, Sllovaki dhe Rumani - shtete të BE-së që ndodhen në kufi me Ukrainën.

“Fatkeqësisht, ne duhet të përgatitemi për ardhjen e miliona njerëzve”, tha Johansson gjatë një vizite në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllavë.

“Në të njëjtën kohë, kemi nevoja të mëdha dhe urgjente humanitare në Ukrainë, ku shumë njerëz janë zhvendosur brendapërbrenda”, shtoi ajo.

Johansson tha se shpreson se Këshilli Evropian do ta aktivizojë direktivën e përkohshme të mbrojtjes - nga e enjtja - për t’iu dhënë mbrojtje atyre që ikin.

Kjo do të ishte hera e parë për një gjë të tillë në BE.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Perëndimi e ka dënuar ashpër veprimin, duke e cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dhe ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër subjekteve dhe individëve rusë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se ka autorizuar “një operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë, për të eliminuar, sipas tij, kërcënimin serioz nga ky vend.

Qëllim i operacionit, ka thënë Putin, është çmilitarizimi i fqinjit jugor të Rusisë.

Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës.

Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore.

Mbi 90 protestues të arrestuar në Shën Petersburg

Më shumë se 90 njerëz u arrestuan në qytetin perëndimor të Rusisë, Shën Petersburg, derisa protestonin kundër luftës në Ukrainë.

Protesta u zhvillua në qendrën tregtare “Gostiny Dvor” në qendër të qytetit.

“Policia ruse arrestoi protestuesit dhe së paku një gazetar”, raporton BBC.

Një ditë më parë, policia në Shën Petersburg arrestoi rreth 900 protestues kundër luftës

Suedia do të forcojë mbrojtjen pas pushtimit rus të Ukrainës

Kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, tha të martën se Qeveria e saj dëshiron të forcojë aftësitë ushtarake të shtetit, pas pushtimit rus të Ukrainës, që sipas saj ka rritur “nivelin e përgjithshëm të kërcënimit”.

“Aftësitë mbrojtëse të Suedisë duhet të forcohen, duhet të investohet në riarmatim”, tha Andersson gjatë një fjalimi drejtuar kombit.

“Suedia duhet të ketë mbrojtje të fortë”, tha ajo, teksa njoftoi se do të nisin bisedimet për burime shtesë.

Ajo tha se Suedia nuk është nën kërcënim direkt ushtarak.

Ky shtet nuk është anëtar i NATO-s, por bashkëpunon ngushtë me aleancën.

Google heq RT-në nga motori i kërkimeve

“Në këtë krizë të jashtëzakonshme ne po ndërmarrim masa të jashtëzakonshëm për të ndaluar përhapjen e dezinformatave dhe për të penguar fushatat online të dezinformimit”, tha presidenti i Google, Kent Walker.

Kjo kompani veçse ka kufizuar mediat që financohen nga shteti rus nga reklamimi dhe nga përdorimi i disa veçorive në YouTube, platformës së videove që është në pronësi të Google.

Kryeredaktorja e Russia Today, Anna Belkina, tha se ky vendim është dëshmi se “establishmenti” i kompanive perëndimore janë “të tmerruara nga prania e ndonjë zëri të jashtëm dhe nga frika e humbjes së audiencës së tyre, që historikisht ka qenë e robëruar, nëse ajo audiencë ndeshet me një këndvështrim ndryshe”.

Russia Today dhe Sputnik që është një tjetër media që financohet nga Rusia, nga Departamenti amerikan i Shtetit konsiderohen të jenë dy “elemente kritike në deziformatat e Rusisë dhe në ekosistemin e propagandës”.

Po ashtu, kompania e teknologjisë, Apple tha se aplikacionet e Russia Today dhe Sputnik nuk do të mund të shkarkohen jashtë territorit të Rusisë.

 Shkatërrohet konsullata e Sllovenisë në Ukrainë

Konsullata e Sllovenisë në Ukrainë është shkatërruar gjatë një sulmi ushtarak në qytetin e Kharkiv.

Ministria tha në llogarinë e saj në Twitter se dënon aktin dhe agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

Raportohet se asnjë punonjës nuk është lënduar.

Të paktën 10 persona u vranë dhe 35 u plagosën gjatë sulmeve me raketa nga forcat ruse në qytet të martën..

Sulm tjetër në Kharkiv, goditet kompleksi banesor pranë spitalit

Një kompleks banesor është goditur pas sulmeve të reja në Kharkiv të Ukrainës.

Kompleksi banesor, sipas CNN, gjendet fare pranë një spitali, teksa ky shpërthim vjen disa orë pasi një sulm tjetër shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesën e administratës rajonale të Kharkivit.

Kujtojmë se më herët u raportua për shpërthime të fuqishme edhe në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës: Rusia po nis fushatën dezinformuese ku do të shpallë dorëzimin e qeverisë

Qeveria e Ukrainës beson se Rusia është duke përgatitur një fushatë masive dezinformimi me anë të së cilës do të shpallë se figura të larta ushtarake dhe politike në Kiev janë dorëzuar.

Ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov tha se fushata do të përfshijë dokumente të rreme dhe pamje të modifikuara për të zhvendosur hequr vëmendjen nga përpjekjet deri tani të pasuksesshme të Rusisë për të rrëzuar qeverinë e Ukrainës.

“Për të konfirmuar këtë informacion të rremë, do të shpërndahen dokumente false gjoja të nënshkruara dhe video të rreme për të shpallur rënien e Kievit”, tha Reznikov.

Reznikov siguroi se lidershipi ukrainas mbetet në Kiev pavarësisht sulmit rus.

Mbretëria e Bashkuar sanksionon Bjellorusinë për luftën në Ukrainë

Mbretëria e Bashkuara ka njoftuar se ka vendosur sanksione ndaj Bjellorusisë për rolin e saj në pushtimin e Ukrainës, njoftoi Qeveria të martën.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se sanksionet shënjestrojnë individë dhe organizata për shkak të rolit që shteti ka luajtur në pushtimin rus të Ukrainës.

“Regjimi i [liderit autoritar bjellorus, Alyaksandr] Lukashenkas në mënyrë aktive ndihmon pushtimin ilegal të Rusisë dhe ai do të përjetojë pasoja ekonomike për mbështetjen e [presidentit rus, Vladimir] Putin”, tha Truss.

Rusia ka përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Zelensky: Të vetëm nuk mund t’ia dalim

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka folur për mediat perëndimore nga një bunker sekret në Kiev më 1 mars. Ai tha se “Ukraina do të luftojë më fuqishëm se kushdo tjetër”, por shtoi se nuk do të mund ta menaxhojë vetë luftën kundër Rusisë.

Zelensky i tha CNN dhe Reuters se bisedimet për armëpushim mund të jenë serioze vetëm nëse fillimisht ndalen luftimet.

“Nëse e bëni këtë, nëse të dyja palët e bëjmë këtë, kjo nënkupton ata [Rusia] janë të gatshëm për paqe. Nëse nuk janë të gatshëm, i bie që vetëm po humb kohë”, tha ai.

Ukraina dhe Rusia janë takuar të hënën në Bjellorusi dhe palët janë pajtuar që të vazhdojnë bisedimet.

G7: Sanksionet ndaj Rusisë po kanë ndikim masiv

Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë po kanë ndikim të madh në ekonominë ruse, tha të martën ministri gjerman i Financave, teksa grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) po shqyrtojnë masa të tjera ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit ndaj Ukrainës.

Sanksionet “tashmë kanë pasur një ndikim masiv në tregjet e kapitalit dhe në monedhën”, tha ministri gjerman, Christian Lindner, shteti i të cilit e ka presidencën e G7-s.

Ministrat e G7 po takohet për të “këmbyer sugjerime për masat e mëtejme që mund të merren”, tha Lindner, duke shtuar se vendimi për propozimet e paraqitura do të merret në ditët në vijim.

Qëllimi i sanksioneve është të “izolohet Rusia politikisht, financiarisht dhe ekonomikisht”, tha Lindner.

Biden: Rusia do të mbahet përgjegjëse

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha Rusia do të mbahet përgjegjëse për agresionin ndaj Ukrainës.

Ai tha se ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ku është diskutuar për mbështetjen e sigurisë dhe humanitare të Uashingtonit ndaj Kievit.

“Kam biseduar me presidentin Zelensky për mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën – përfshirë ndihmën e sigurisë dhe atë humanitare – teksa ajo mbron veten kundër agresionit rus. Ne do ta mbajmë përgjegjëse Rusinë dhe sanksionet tona veçse kanë pasur ndikim shkatërrues”, tha Biden përmes një postimi në rrjetet sociale.

Më herët, Zelensky tha se e ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme, teksa shteti i tij po përballet me agresionin e Rusisë.

Ukrainasit shkatërrojnë sistemin raketor rus

Gazetari ukrainas Illia Ponomarenko ka publikuar një video në rrjetin social Twitter ku shihet se si një sistem raketor rus u shkatërrua në Ukrainë.

I frustruar me pushtimin rus, Ponomarenko krahas videos shkruan ‘digje, ndyrësirë, digje’.

Ndryshe, sot po shënohet dita e gjashtë prej kur Ukraina u sulmua nga Rusia, ndërsa ukrainasit nuk po e dorëzojnë vendin e tyre.

Rusia është bërë edhe më agresive në 24 orët e fundit. Ka sulmuar veçanërisht kryeqytetin Kyiv dhe Kharkiv.

80 mijë ukrainas që jetojnë jashtë vendit u kthyen për të luftuar në atdhe

Ministria e Brendshme e Ukrainës ka thënë se 80 mijë ukrainas janë kthyer nga jashtë vendit që të luftojnë për liri kundër agresorit rus.

Këta njerëz janë kthyer prej momentit kur Rusia filloi fushatën e pushtimit të Ukrainës.

Kështu bën të ditur the Kyiv Independent në një shkrim.

“80,000 ukrainas u kthyen nga jashtë që kur Rusia filloi pushtimin”, shkruan në Twitter.

“Sipas Ministrisë së Brendshme, e cila citon Shërbimin Shtetëror të Rojës Kufitare, shumica dërrmuese e këtyre shtetasve ishin burra që u bashkuan në radhët e Forcave të Armatosura dhe formacioneve të tjera ushtarake”, thuhet tutje.

Rusia filloi pushtimin e Ukrainës javën e kaluar por prej atëherë ka hasur në rezistencë të ukrainasve që u kanë shkaktuar humbje të mëdha.

Luftë dramatike në ajër, ministri ukrainas tregon për betejën e ashpër që po zhvillohet

Një konvoj i gjatë makinash ushtarake ruse është nisur drejt Kievit, me synimin që përfundimisht ta gjunjëzojë kryeqendrën e Ukrainës dhe qytetet tjera me rëndësi strategjike.

Mirëpo, jo gjithçka po shkon sipas planit për rusët, pasi që po hasin në rezistencë të ashpër.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, në një intervistë për CNN me gazetaren Christiane Amanpour, ka thënë se forcat ukrainase janë duke i targetuar kolonat e ushtrisë ruse që kanë mësyrë Kievin dhe qytete të tjera.

“Ne kemi vënë në përdorim forcat ajrore për të shkatërruar konvojin që ka mësyrë qytetet tona”, ka thënë Kuleba.

Kur është pyetur se çfarë lloj ndihme i duhet Ukrainës nga SHBA-ja dhe NATO, ai ka thënë: “forca ajrore, mekanizëm anti-raketor dhe armë”.

Megjithatë, Kuleba ka thënë se Rusia ende dominon hapësirat ajrore.

“Problemi është se Rusia dominon në qiell. Pilotët tanë janë duke luftuar me ashpërsi kundër tyre, por edhe ne kemi humbje. Pra, rusët përdorin avionët dhe bombarduesit e tyre për të sulmuar qytetet tona dhe ne duhet t’i kundërvihemi këtij kërcënimi”, ka theksuar ai.

“Ne po luftojmë në ajër, por Rusia ka më shumë aeroplanë në Ukrainë se që kemi ne”, ka shtuar ai.

Shkon në 7 numri i të vdekurve nga sulmi me raketa në Kharkiv, mesin e tyre edhe një fëmijë

Sulmi i sotëm rus me raketa në qendër të Kharkiv la të vdekur 7 persona dhe 24 të tjerë mbetët të plagosur.

Sulmi raketor rus goditi Sheshin e Lirisë në Kharkiv mëngjesin e 1 marsit, duke dëmtuar ndërtesën e administratës së Rajonit të Kharkiv, shkruan The Kyiv Independent.

Midis personave të plagosur është një fëmijë, sipas guvernatorit të rajonit të Kharkiv, Oleh Synehubov.

Kujtojmë se sot po shënohet dita e gjashtë prej kur Ukraina u sulmua nga Rusia, ndërsa ukrainasit nuk po e dorëzojnë vendin e tyre. Rusia është bërë edhe më agresive në 24 orët e fundit. Ka sulmuar veçanërisht kryeqytetin Kyiv dhe Kharkiv.

Bliken vë në pikëpyetje pjesëmarrjen e Rusisë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Bliken, ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e Rusisë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara.

“Dikush mund të kryes nëse një shtet anëtar i OKB-së, që përpiqet të marrë nën kontroll një tjetër anëtar të OKB-së – duke kryer abuzime të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe duke shkaktuar vuajtje masive humanitare – duhet të lejohet të mbetet në këtë këshill”, tha ai gjatë një fjalimi para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.

“Ne duhet të dënojmë me vendosmëri dhe pa mëdyshje përpjekjen e Rusisë për të rrëzuar një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe abuzimet e rënda ndaj të drejtave të njeriut”, tha Blinken.

Sekretari Blinken po ashtu foli edhe represionin që bën Kremlini brenda Rusisë, duke përmendur mbylljen e organizatave për të drejtat e njeriut, sulmet ndaj aktivistëve dhe kundërshtarëve politikë dhe shtypjen ndaj mediave.

Nëndetëset bërthamore ruse nisen për një stërvitje në veri të Finlandës dhe Suedisë

Nëndetëset bërthamore ruse janë nisur për një stërvitje në veri të Finlandës dhe Suedisë, në Detin Barents, ndërsa raketat e lëvizshme janë vendosur me të njëjtin objektiv në rajonin Irkutsk të Siberisë lindore.

Stërvitja u vendos pas urdhrit të Presidentit Vladimir Putin për të alarmuar forcat bërthamore të Rusisë.

Image
Harta

Flota Veriore Ruse tha se shumë nga nëndetëset bërthamore ishin të përfshira në stërvitje për të “trajnuar manovra në kushte stuhie”.

Lufta Rusi-Ukrainë, NATO mban mbledhje emergjente të premten

Ministrat e jashtëm të NATO-s do të mbajnë një tjetër mbledhje emergjente të premten për të diskutuar lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ajo do të mbahet në selinë qendrore në Bruksel.

Sakaq, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, gjatë një vizite në Estoni, tha se NATO nuk kërkon një konflikt me Rusinë.

 

“Mesazhi ynë për presidentin Putin është: ndalo luftën!”, tha ai pas një takimi me kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Shefi i qeverisë së Londrës tha se bombardimet ruse në Ukrainë i kujtojnë masakrat e Serbisë në Sarajevë.

“Nëse Vladimir Putin mendon se do të zmbrapsë NATO me ato çfarë bën, ai gabohet rëndë”, tha Johnson.

Gjithashtu njoftoi se Aleanca e Atlantikut të Veriut do të përforcojë kahun perëndimor.

 E pazakontë/ Klerikët rusë bëjnë thirrje për ndaljen e luftës

Në një lëvizje të pazakontë, përmes një letre të hapur, më 1 mars dhjetëra klerikë ortodoksë rusë kanë bërë thirrje për ndalje të menjëhershme të luftës në Ukrainë.

Afro 60 klerikë ortodoksë thanë se “respektojnë lirinë e çdo personi që ia ka dhënë Zoti”, duke shtuar se populli i Ukrainës “duhet të marrin vendimet vet, jo nën grykën e pushkës dhe pa presion as nga Perëndimi e as nga Lindja”.

Në letër u tha se klerikët “vajtojnë” për vuajtjet “që u janë imponuar në mënyrë të pamerituar vëllezërve dhe motrave tona në Ukrainë”.

Është e pazakontë që një numër kaq i madh i klerikëve fetarë të Kishës Ortodokse kaq hapur po sfidojnë Qeverinë e presidentit, Vladimir Putin. Në vitet e fundit, Kisha Ortodokse Ruse dhe lideri i saj, Patriarku Kirill, i cili nuk e ka nënshkruar këtë letër, kanë mbështetur plotësisht politikat e Putinit.

Rusia thotë se nesër do të mbahet raundi i dytë i bisedimeve me Ukrainën

Raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet delegacioneve nga Ukraina dhe Rusia për situatën në Ukrainë është planifikuar të mërkurën, raportojnë mediat shtetërore ruse.

Agjencia ruse e lajmeve TASS të martën citoi një burim nga pala ruse duke thënë se e mërkura, 2 mars, është data për të cilën të dyja palët kishin rënë dakord fillimisht, shkruan CNN.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA shtoi se rundi i dytë i bisedimeve do të zhvillohet pranë kufirit Bjellorusi-Poloni. Sipas politikanit bjellorus, Yuri Voskresensky, anëtarët e parë të delegacioneve pritet të mbërrijnë sot në mbrëmje në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk.

Raundi i parë i bisedimeve të hënën zgjati për pesë orë dhe përfundoi pa ndonjë përparim.

Gati 680 mijë njerëz u larguan nga Ukraina

Gati 680 mijë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga 24 shkurti, tha shefi i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Filippo Grandi.

UNHCR-ja parashikoi se më shumë se katër milionë refugjatë ukrainas mund të kenë nevojë përfundimisht për mbrojtje dhe ndihmë në vendet fqinje.

Image
Refugjatët e Ukrainës

“Ne po shohim se mund të bëhet kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë këtë shekull”, tha Grandi.

Më shumë se gjysma e atyre që janë larguar nga Ukraina kanë kaluar në Poloni, ndërsa UNHCR-ja tha të martën se 377 mijë e 400 njerëz e kishin bërë këtë. Shumica e të ardhurve janë gra dhe fëmijë nga të gjitha pjesët e Ukrainës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat