Sulmi rus shtyn IAEA-në të shqyrtojë sigurinë bërthamore në Ukrainë

Evropë

Sulmi rus shtyn IAEA-në të shqyrtojë sigurinë bërthamore në Ukrainë

Më: 2 mars 2022 Në ora: 20:47
Forcat ruse morën kontrollin e Çernobilit, ku radioaktiviteti ende vazhdon që nga katastrofa më e rëndë bërthamore 36 vjet më parë.

Rusia thotë se ka marrë nën kontroll rajonin përreth centralit më të madh bërthamor të Ukrainës. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore tha sot (e mërkurë) se kishte marrë një letër nga autoritetet ruse që e njoftonin se gjendja në centralin Zaporizhia është normale dhe se nivelet e rezatimit janë normale. Zaporizhia është objekti më i madh bërthamor i Ukrainës ku ndodhen 6 nga 15 reaktorët bërthamorë të vendit.

Ndërkohë Agjensia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore po zhvillon sot një takimmes shqtësimeve për sigurinë bërthamore në Ukrainë.

Rusia ka vazhduar të bombardojë sërish objektiva civile në qytetet e Ukrainës dhe një autokolonë mbi 64 kilometra e gjatë tankesh dhe autoblindash të tjera kërcënojnë kryeqytetin Kiev.

Gratë dhe fëmijët vazhdojnë të largohen në drejtimin e kundërt, duke u përpjekur të dalin nga vendi përpara se t'iu afrohen forcat ruse. Ata u drejtohen vendeve evropiane me të cilat kanë lidhje personale, ose ku mund të gjejnë siguri për veten dhe fëmijët.

Agjensia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA) thirri takimin e anëtarëve të bordit të saj në Vjenë. Pas një beteje të ashpër me gardën kombëtare ukrainase që ruante centralin e dalë nga funksioni, forcat ruse morën kontrollin e Çernobilit, ku radioaktiviteti ende vazhdon që nga katastrofa më e rëndë bërthamore 36 vjet më parë.

Ekziston tashmë shqetësimi për sigurinë e centralit, për të cilin nevojiten ekspertë dhe jo forca luftarake.

IAEA-ja thotë se me sa duket, ekipi ukrainas që mirëmbante centralin vazhdon të gjendet aty.

Profesori Tom Scott vizitoi Çernobilin në shtator 2011, i ftuar nga shkencëtarët ukrainas.

Ai shpjegon se objekti është i mbrojtur mjaft mirë nga shtresa betoni dhe një strukturë e re sigurie.

"Çernobili - të gjithë e dinë se ku ndodhi katastrofa më e rëndë bërthamore e botës. Pas fatkeqësisë, ndërtuan një sarkofag prej betoni përqark bërthamës së reaktorit dhe vetëm tani rishtazi ngritën një strukturë të re izolimi, që u pozicionua mbi sarkofagun për të bërë një mbyllje hermetike. Ajo kontrollon ajrin që hyn dhe del nga sarkofagu. Arsyeja pse u shtua kjo strukturë e re ishte sepse sarkofagu po jepte shenjta se po degradonte me shpejtësi. Kjo strukturë e re prej tre shtresash alumini nuk është projektuar për t'i rezistuar ndonjë sulmi apo goditjeje artilerie", thotë profesori Scott.

Zona e ndaluar në Çernobil, me një sipërfaqe pyjore prej 2600 kilometrash katrorë që qarkon centralin, gjendet mes kufirit Bjellorusi-Ukrainë dhe kryeqytetit ukrainas.

Reaktori numër 4 në këtë central shpërtheu dhe mori flakë gjatë natës së 26 prillit 1986, duke prishur godinën dhe duke hedhur drejt qiellit lëndë radioaktive.

Autoritetet sovjetike e rënduan më tej katastrofën duke mos ia bërë të ditur publikut se çfarë kishte ndodhur dhe duke zemëruar qeveritë evropiane dhe popullin sovjetik.

Dy milionë banorët e Kievit nuk u informuan megjithë rrezikun që pasoi, dhe bota mësoi për katastrofën vetëm pasi radiacioni i shtuar u pikas në Suedi.

Godina ku ndodhej reaktori që shpërtheu u mbulua në vitin 2017 me një strehim gjigand për të përmbajtur rrjedhjen e radiacionit që ende vazhdonte. Robotë brenda strehimit punojnë për të çmontuar reaktorin e shkatërruar dhe për të mbledhur mbetjet radioaktive. Pritej që çmontimi të përfundonte deri në vitin 2064. Qeveria ukrainase kishte vendosur ta shfrytëzonte zonën e braktisur për të depozituar karburantin bërthamor të mbetur nga centralet e tjera bërthamore të vendit.

IAEA-ja deklaroi se është e shqetësuar në veçanti nga ndikimi që mund të ketë konflikti tek siguria e objekteve bërthamore, të cilat është jashtëzakonisht e rëndësishme të mos rrezikohen.

Profesori Scott thotë se ka besim tek strukturat mbrojtëse përreth reaktorit dhe shton se do të ishte në interesin e të gjitha palëve të garantonin sigurinë e centraleve bërthamore të Ukrainës.

"Nga perspektiva ruse, nga perspektiva ukrainase dhe ajo globale, askush nuk dëshiron një incident të ri bërthamor në Çernobil, apo në ndonjë tjetër objekt bërthamor, sepse askush nuk dëshiron të merret me pasojat e një pastrimi radioaktiv. Rusët janë shumë të familjarizuar me teknologjitë bërthamore dhe kanë shumë reaktorë bërthamorë. Ata kanë forca taktike bërthamore. Pra, e kanë ekspertizën që iu duhet për ta mbajtur Çernobilin të sigurtë", thotë profesor Scott.

Shqetësimi megjithatë është se pas konfliktit, centralet bërthamore dhe depozitat e karburantit të përdorur bërthamor nuk ruhen më siç duhet. Profesori Scott thotë se shqetësimi i vërtetë është se nuk ekziston aktualisht një entitet i pavarur që mund të shkojë dhe të vlerësojë sigurinë e reaktorëve të vendit.

"Në disa objekte të tjera në Ukrainë ku depozitohen mbetje bërthamore, e dimë se ka patur luftime. Dimë se ka patur dëme, por askush nuk di përmasat e vërteta të dëmit, apo nëse është çliruar material bërthamor", thotë profesor Scott.

Ukraina ka katër centrale bërthamore të pozicionuara në pjesën perëndimore të vendit dhe larg zonave me popullsi të dendur. Ato gjenden ende nën kontrollin dhe kujdesin e ukrainasve. Në Çernobil, një ekip i vogël inxhinierësh ukrainas vazhdojnë të kujdesen për centralin, por ata nuk u lejohet të largohen dhe as nuk janë zëvendësuar nga ekipe ruse./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat