SHBA mbështetë hetimin e krimeve ruse në Ukrainë

Evropë

SHBA mbështetë hetimin e krimeve ruse në Ukrainë

Më: 10 mars 2022 Në ora: 14:51
Presidentin i Polonisë, Andrzej Duda dhe zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris.

Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, deklaroi të enjten në Poloni se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s.

"Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht faktin se një sulm kundër njërit është një sulm kundër të gjithëve", tha Harris.

Këto komente Harris i bëri pas takimit në Varshavë me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda.

Edhe pse Harrin nuk i quajti drejtpërdrejt krime lufte të Rusisë ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë, tha se “çdo sulm ndaj civilëve përbënë shkelje” dhe se për këtë mbështeti idenë e një hetimi ndërkombëtar.

Imazhet nga Ukraina treguan qartë mizoritë që po ndodhin, tha Harris, edhe përpara se një hetim të përcaktojë se si t'i quajnë ato.

"Absolutisht duhet të ketë një hetim dhe ne të gjithë duhet ta vëzhgojmë", deklaroi Harris, duke vënë në dukje se Kombet e Bashkuara kanë filluar tashmë një proces për të shqyrtuar akuzat.

“Nuk kam dyshim se sytë e botës janë te kjo luftë dhe çfarë ka bërë Rusia në lidhje me këtë agresion dhe këto mizori”, theksoi Harris.

Ajo tha se nuk do të mungojë mbështetja financiare, humanitare si dhe mbështetja në fushën e sigurisë për Ukrainën.

Ndërkohë presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, nga ana e tij, tha se “është e qartë që në Ukrainë rusët po kryejnë krime lufte”.

Ai tha se pushtimi rus i Ukrainës bart në vete “elemente të gjenocidit dhe synon eliminimin dhe shkatërrimin e një kombi”

Harris lavdëroi popullin polak i cili sipas saj ka hapur dyert për refugjatët ukrainas.

Tashmë, më shumë se 2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina – me më shumë se gjysma kanë shkuar në Poloni – dhe akoma më shumë pritet të mbërrijnë në ditët në vijim.

Duda paralajmëroi për një "katastrofë refugjatësh" nëse Polonia nuk merr më shumë ndihmë për të ndihmuar në strehimin dhe ushqyerjen e ukrainasve që ikin nga luftimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat