Riadi thotë se Rusia ka liruar 10 të burgosur të luftës

Evropë

Riadi thotë se Rusia ka liruar 10 të burgosur të luftës

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 22:26
Alexander Drueke dhe Andy Huynh, dy shtetasit amerikanë që janë liruar.

Dhjetë të burgosur të luftës, që ishin kapur në Ukrainë, janë transferuar në Arabi Saudite, si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës, bëri të ditur Ministria e Jashtme saudite.

Në mesin e të burgosurve të liruar ka shtetas të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Suedisë, Kroacisë dhe Marokut, tha Ministria e Jashtme saudite përmes një deklarate të publikuar më 21 shtator.

“Autoritetet relevante saudite i kanë marrë dhe i kanë transferuar ata nga Rusia për në Mbretëri dhe po lehtësojnë procedurat me shtetet e tyre respektive”, u tha në deklaratë.

Shtetasit amerikanë, Alexander Drueke dhe Andy Huynh, janë në mesin e të liruarve, tha për Reuters një përfaqësues i familjeve të tyre. Dy veteranët e ushtrisë u kapën në qershor teksa po luftonin në lindje të Ukrainës në anën e trupave ukrainase, që po përballen me pushtimin rus.

Të burgosurit u liruan pas përpjekjeve të Princit të Kurorës të Arabisë Saudite, Muhammad bin Salman, “si vazhdimësi e angazhimit të tij ndaj nismave humanitare në krizën ruso-ukrainase”, tha ministria.

Në deklaratë nuk u specifikua e kur të liruarit do të transferohen në shtetet prej nga vijnë.

Lufta në Ukrainë ka krijuar tension midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite, një prej prodhuesve më të mëdha të naftës dhe një aleate shumëvjeçare e SHBA-së.

Salman, pas takimit me presidentin amerikan, Joe Biden, në qershor u zotua se do të rrisë prodhimin ditor të naftës, për të ndihmuar Uashingtonin që të ulë çmimet e naftës që u rritën pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt.

Por, Arabia Saudite po ashtu është koordinuar me OPEC+, një grup i prodhuesve të naftës, ku bën pjesë edhe Rusia. Më herët gjatë këtij muaji, ky grup i prodhuesve u pajtua që të ulë prodhimin e naftës, pasi dëshiron që të rriten çmimet e këtij karburanti./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat