Papa priti në takim Dritan Abazoviqin

Evropë

Papa priti në takim Dritan Abazoviqin

Më: 16 tetor 2022 Në ora: 07:09
Dritan Abazoviq dhe Papa Françesku

Dialogu ndërmjet aktorëve politikë, situata dhe anëtarësimi i shteteve tё Ballkanit në BE ishin disa nga çështjet qё u trajtuan sot në Sekretarinë e Shtetit tё Selisё sё Shenjtё nga Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili u prit sot paradite në Pallatin Apostolik nga Papa Françesku. Pas bisedës me Papën, e cila zgjati rreth 25 minuta, Kryeministri Abazoviq u takua me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit tё Selisё sё Shenjtё, shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Bisedimet

Siç njofton Zyra e Shtypit e Vatikanit, "gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit tё Vatikanit, u vlerësuan marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe synimi për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në sektorë me interes të përbashkët". Më tej, "u theksua kontributi pozitiv i komunitetit katolik në shoqërinë e Malit tё Zi. Më pas bisedimet u përqendruan mbi realitetin e brendshëm të vendit, duke përsëritur nevojën për një dialog gjithëpërfshirës ndërmjet të gjithë aktorëve politikë për të mirën e përbashkët të Malit të Zi". Në fund, thuhet në deklaratë, "u trajtuan disa çështje rajonale, duke përfshirë situatën në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian".

Dhuratat

Në momentin e shkëmbimit të dhuratave, Papa i dhuroi kryeministrit vëllimet e dokumenteve papnore, Mesazhin për Diten Botërore të Paqes 2022, Dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore, librin mbi Statio Orbis të 27 marsit 2020, botuar nga shtëpia botuese e Vatikanit (LEV). Përveç kësaj, edhe një degë ulliri prej bronzi dhe librin “Let us dream”, me një dedikim. Kryeministri Abazoviq u përgjigj duke i dhuruar Papёs Françesku librin e tij më të fundit, sapo doli nga shtypi, dhe një faksimile të librit të parë (litografë) të shtypur në Ballkan, më 1494.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat