​Sllovaki: Shtyhet votimi për fatin e qeverisë së kryeministrit Heger

Evropë

​Sllovaki: Shtyhet votimi për fatin e qeverisë së kryeministrit Heger

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 13:09
Parlamenti i Sllovakisë

Parlamenti i Sllovakisë vendosi sot të shtyjë votën e mosbesimit ndaj qeverisë pakicë të kryeministrit Eduard Heger deri të enjten, duke i dhënë më shumë kohë negociatave dhe debatit mbi opsionet e mundshme, përfshirë zgjedhjet e parakohshme.

Partitë opozitare akuzojnë qeverinë e kryeministrit Heger se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndihmuar qytetarët të përballen me rritjen e çmimeve të energjisë dhe debati për mocionin e tyre të mosbesimit, i cili filloi javën e kaluar, supozohej të përfundonte sot.

Qeveria, e cila ka qenë në pushtet që nga viti 2020, humbi shumicën e saj në shtator kur një partner i vogël i koalicionit, partia SaS, u largua nga koalicioni pas përplasjeve me partinë kryesore në pushtet, Njerëzit e zakonshëm (OLANO), kryesisht për trajtimin e krizës energjetike.

Partitë mund të kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe për këtë duhet të sigurojnë 90 vota në parlamentin me 150 vende.

Kërkesa për mosbesimin e paraqitur nga partitë SaS dhe Hlas të ish-kryeministrit Peter Pellegrini mund të kalojë në parlamentin ku opozita ka rreth 70 vota.

Asaj i duhen edhe gjashtë vota të tjera të pavarura për të pasur sukses dhe sot një nga deputetët e pavarur njoftoi se synon të mbështesë mocionin për një votë mosbesimi ndaj qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat