REL hap byro në Riga në përpjekje për të luftuar dezinformatat e Kremlinit

Evropë

REL hap byro në Riga në përpjekje për të luftuar dezinformatat e Kremlinit

Më: 12 janar 2023 Në ora: 13:37
Selia qendrore e Radios Evropa e Lirë në Pragë të Republikës Çeke. Fotografi nga arkivi.

Radio Evropa e Lirë ka hapur byro të re në kryeqytetin e Letonisë, Riga, si pjesë e përpjekjeve të saj për të luftuar dezinformatat ruse dhe censurën.

Presidenti i REL-it, Jamie Fly, shprehu mirënjohje për Letoninë dhe tha se “ne jemi të lumtur që do të mund të punojmë së bashku për t’u përballur me ndikimin malinj të Rusisë dhe të ofrojmë shpresë për ata që ende u mohohet liria”.

Presidenti i Letonisë, Egils Levits, ambasadori amerikan në Riga, John Carawile, dhe zyrtarë të tjerë pritet të marrin pjesë në hapjen e byrosë.

Byroja e REL-it në Riga pritet të ketë brenda vetes edhe Current Time, një platformë e lajmeve në gjuhën ruse që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë, në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.

Zyra në Riga pritet të bëhet një prej qendrave më të mëdha të raportimit të REL-it dhe do të prodhojë përmbajtje në gjuhën ruse, përfshirë raporte hulumtuese, programe të ndryshme, por edhe programin e mëngjesit të Current Time.

Byroja në Riga do të prodhojë përmbajtje në gjuhën ruse për audiencat në shtetet e Baltikut dhe për shtete të tjera në Evropë, përfshirë edhe programe të lajmeve ditore që mbulojnë rajonin e Baltikut, me qëllim që të luftohet dezinformimi rus në pothuajse tri shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik.

REL-i mbylli zyrat e saj në Rusi në mars të vitit 2022, në kohën e sulmit të Kremlinit ndaj mediave të pavarura atje. Që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në fund të shkurtit të vitit 2022, shumica e mediave të pavarura kombëtare ose janë mbyllur ose janë larguar nga Rusia për shkak të presionit të Qeverisë ruse.

Më herët gjatë kësaj jave, REL-i hapi zyrën e re në Vilnius të Lituanisë, që synon audiencat në Bjellorusi. Kjo zyre do të prodhojë përmbajtje edhe për bjellorusët dhe rusët, në përpjekje për të luftuar propagandën shtetërore dhe censurën e Qeverisë së liderit autoritar, Alyaksandr Lukashenka.

Radio Evropa e Lirë është media e pavarur që financohet nga një grant që i jep Kongresi amerikan përmes Agjencisë amerikane për Media Globale. REL-i ofron informacione në 27 gjuhë në 23 shtete ku liria e medias është e kufizuar ose nuk është e zhvilluar gazetaria profesionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat